Zaloshnja: Duhet transparencë për ndihmat!

AKTUALITET


Nga Eduard Zaloshnja

Përvoja botërore tregon se, pas tragjedive natyrore, vërshojnë ndihma nga të gjitha anët për fatkeqët – nga qeveri, organizata e individë. Por kjo përvojë tregon edhe se ndihmat ndonjëherë keqmenaxhohen, apo më rëndë akoma, abuzohen.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, u shënua në fakt edhe rasti i parë i abuzimit me ndihmat. Një i ri u arrestua, pasi kishte hapur një faqe në internet me emrin “Rilindje”, ku mblidhte ndihma monetare në mënyrë elektronike, gjoja në emër të Edi Ramës. Raste të ngjashme mund të ketë në ditët në vijim, në mos ka ndonjë të pazbuluar, ndërkohë që po shkruhen këto rreshta.

Janë me dhjetra insisiativa të individëve apo organizatave të ndryshme për mbledhjen e fondeve për fatkeqët e tërmetit, përmes pagesave elktronike në Internet. Dhe padyshim, shumica e tyre janë mëse legjitime dhe gjenuine. Por disa njerëz, si i riu i mësipërm, mund ta shfrytëzojnë ndjenjën e solidaritetit të shqiptarëve kudo në botë, për përfituar për veten e tyre.

Është detyrë e shtabit të emergjencës, të drejtuar nga Ministri Bledar Çuçi, që të hapë një faqe zyrtare në internet, ku të listohen të gjitha insiativat legjitime për mbledhje fondesh nga organizata e individë të ndryshëm (duke ofruar linke që të çojnë në secilën faqe internet të tyre). Dhe ç’është më e rëndësishme, në faqen e shtabit të emergjencës duhet të ketë edhe informacion të përditësuar se sa ndihma janë mbledhur nga çdo inisativë dhe ç’po bëhet me to.

Sidoqoftë, vetëm hapja e faqes së posaçme të internetit nga shtabi i emergjencës nuk mjafton. Duhen bërë edhe njoftime të herëpashershme në media nga zëdhënësi i këtij shtabi, mbi informacionin që të interesuarit mund të gjejnë në faqe, si dhe mbi aktivitetin e përditësuar të shtabit për koordinimin e punës dhe të ndihmave për përballimin e kësaj tragjedie.



Skip to toolbar