Drejtori i Policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj, doli në një konferencë për shtyp ku dha detaje mbi ngjarjet kriminale që kanë ndodhur së fundmi në qarkun që ai drejton.
Hodaj bëri me dije se është zbardhur vrasja e Zef Gurit dhe plagosjes së djalit të tij, Gjin Guri që ndodhi në Dukagjin. Policia dyshon se autor është Gjovalin Guri, i cili është shpallur në kërkim. Hodaj tha se ai rezulton që të jetë në kërkim edhe për ngjarje e vepra të tjera penale.
“Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit”, njoftoi Hodaj.
Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas konflikteve dhe kërcënimeve të vazhdueshme për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave pyjore në atë zonë.
Hodaj bëri me dije se autori është lidhje familjare me viktimën dhe të plagosurin.
“Janë lidhje familjare që kanë pasur konflikte edhe të mëparshme. I dëmtuari është person me precedentë të theksuar kriminalë dhe të gjitha këto ngjarje po i analizojmë për të arritur në dokumentimin e plotë të ngjarjes, së plagosjes dhe vrasjes së babait të tij”, tha drejtori i policisë.
Zef Guri, 73 vjeç, u vra mbrëmjen e 27 shtatorit. Ai po udhëtonte me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës kur në rrugë u qëllua me armë. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur djali i tij, Gjini, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
I plagosuri Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2015, atëherë 38-vjeçar, ai figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim pasi qëlloi me armë ndaj helikopterit të policisë gjate patrullimit për zbulimin e zonave me kanabis. Ai ishte i dënuar nga gjykata me 7 vite burg.
Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij u vendos një sasi tritoli. Policia po heton në disa pista për atentatin e kësaj të mërkure, ku më kryesorja është mosmarrëveshja për lëndët narkotike e mbjella në zonën e Dukagjinit.