Zbulohen autorët që grabitën e dhunuan të moshuarit në Memaliaj

AKTUALITET


Policia e Gjirokastrës ka arritur që brenda 48 orësh të zbulojë dhe çojë në pranga autorët e grabitjes së një çifti të moshuar në Memaliaj, ku nëpërmjet dhunës i morën rreth 12 milionë lekë të vjetra. Bëhet fjalë për grabitjen e Hiqmet Ramadanit, ky dy persona me maska i hynë në shtëpi, e lidhën me kabllo dhe e kërcënuan se do i vrisnin gruan për të treguar se ku ishin paratë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e mesnatës së të shtunës, ndërkohë që të hënën, policia njoftoi se ka vënë në pranga tre persona, të cilët dyshohet se veç grabitjes së Ramadanit, ata kanë kryer një sërë vjedhjesh të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Policia deklaroi se Drejtoria e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe policinë e Durrësit, pas një pune të mirëorganizuar hetimore për zbardhjen, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vjedhjes me dhunë të banesës së shtetasit Hiqmet Ramadani, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Etalon”. Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit E. A., 23 vjeç, A. R., 22 vjeç dhe F. R., 28 vjeç, banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim 1 shtetas tjetër dhe vijon puna për kapjen e tij.

“Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 04.01.2020, kanë hyrë në banesën e Hiqmet Ramadanit në Memaliaj, ku kanë vjedhur me dhunë një sasi lekësh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një pjesë e lekëve të vjedhura dhe 4 celularë. Gjithashtu, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dhe dy doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Zbardhja e ngjarjes në kohë, si dhe kapja e autorëve, u bë falë një pune të mirëorganizuar nga një grup i posaçëm hetimor i DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, si dhe bashkëpunimit mjaft të mirë me DVP Durrës”, deklaroi policia.

Sipas të dhënave hetimore, ky grup, me pseudonimin “Etalon”, dyshohet se ka kryer dhe një sërë vjedhjesh të tjera në qarqe të ndryshme, për të cilat vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike”.

I moshuari, i cili u dhunua dhe u grabit nga maskat në shtëpinë e tij, ka treguar tmerrin e përjetuar, ku grabitësit e kanë kërcënuar se do i vrisnin gruan, nëse nuk tregonte se ku i kishte fshehur paratë. Hiqmet Ramadani, 87 vjeç ka rrëfyer momentin e tmerrshëm të grabitjes, ku tregoi se kanë qenë dy persona, ndërkohë që e kanë lidhur dhe goditur, ndërsa i kanë grabitur paratë. “Shqyen derën dhe hynë brenda. Isha bashkë më gruan. Dhe erdhi personi këtu. Njëri shkoi nga plaka dhe i lidhi buzën. Mendova se ishte nipi. Mu hodh për grykë dhe më kapi nga gryka. Dhe i gjuajta me një shkelm në bark. U bënë dy, mua më lidhën kokë e këmbë. Më lidhën dhe gojën. Morën atë kabllon dhe ma lidhën për gryke për të më mbytur. Pasi më vunë poshtë, morën valixhet këtu. E hapën valixhen. Ishin dy persona. Me lidhën këmbë, duar, gojë. Unë po kundërshtoja, ata më lidhën. Më thanë do të vrasim, mos bëj zhurmë, kobure nuk u pashë. Kisha 12 milionë lekë. Unë mezi u zgjidha vetë. Ika të vëllai dhe i thashë hajde se më vranë. Më erdhën dy veta për të më marrë lekët dhe ika pastaj. Më dhanë dy shkelma, më kanë gjuajtur dhe në nofull. Dorën ma kanë nxirë”, u shpreh 87-vjeçari për mediat.



Skip to toolbar