Pas zbulimit të disa dosje pronash në makinën e prokurorit Arian Ndoja, fakte të reja kanë dalë në dritë, ku prokurori i plagosur, duket se ka rënë me këmbët e tij në grackë, duke deklaruar për mediat se ai prej disa vitesh drejton një studio ligjore. Lidhur me këtë deklaratë të tij, Realstory.al ka verifikuar më tej për të kuptuar se si qëndron e vërteta e kësaj studio ligjore të drejtuar nga Arian Ndoja, fakt që bie në konflikt interesi të drejtpërdrejt me punën e tij si prokuror.
Nga verifikimi rezulton se prokurori Ndoja ka pasur një studio ligjore deri në vitin 2009, por që tashmë rezulton e çregjistruar pranë QKR, ndërkohë që një tjetër subjekt për avokati është e regjistruar në emrin e bashkëshortes së tij, e cila njëkohësisht rezulton se ka qenë mbrojtësja ligjore e një prej personave të dyshuar për rrahjen barbare të biznesmenit libanez Faad Mitri. Aktualisht nuk dihet se për cilën studio ligjore ka folur Ndoja, por ajo që bie në sy nga dokumentet e siguruara nga Real Story, ai ka pasur studio ligjore aktive gjatë kohës që ka qenë edhe prokuror.
Sa i përket studios ligjore të regjistruar në emër të prokurorit Ndoja, ajo rezulton se është regjistruar në vitin 2007, pak kohë para se ai të rikthehet në detyrë, pasi ishte shkarkuar në vitin 2004, por si studio ligjore ka qëndruar aktive deri në vitin 2009 dhe është çregjistruar pikërisht më datë 24 prill të vitit 2009. Kjo do të thotë se ai ka mbajtur hapur studion ligjore edhe pas emërimit si prokuror në Prokurorinë e Durrësit, pavarësisht se kjo bie në kundërshtim me ligjin për Konfliktin e Interesit, të miratuar që në vitin 2005. Nuk dihet nëse Ndoja i është referuar pikërisht kësaj studio ligjore, kur ka deklaruar për mediat se dosjet e gjetura në makinën e tij janë për shkak të konsulencës juridike që jep, deklaratë për të cilën, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kërkuar hetimin e Ndojës. Por këto deklarata të Ndojës nuk janë shfaqur me regjistrim audio dhe video nga mediat që kanë biseduar me të. Megjithatë, kjo nuk e përjashton nga përgjegjësia që ai ka mbajtur aktive zyrën e tij të avokatisë deri në prill 2009, duke qenë se ai punonte dhe prokuror në të njëjtën kohë.
Ndërsa fakti tjetër ka të bëjë pikërisht me bashkëshorten e Arian Ndojës, E. Ndoja, e cila e lidh drejtpërdrejt me Gjirin e Lalzit. Bashkëshortja e tij është regjistruar si subjekt “avokat” në vitin 2012 pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe rezulton se zyra e saj ka përfaqësuar në çështje civile për pronat Pal Seçunin, i cili ka përfituar rreth 4.5 hektarë tokë me akt trashëgimie. Por, pas Pal Seçunit, policia dyshon se fshihet Landi Muharremi, i cili u plagos bashkë me prokurorin Ndoja në atentatin e së pretmes, ndërkohë që kjo tokë dhe e shkuara i lidh edhe me dhunimin barbar të biznesmenit libanez Faad Mitri. Bëhet fjalë për 45 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalzit, për të cilën Bashkia e Durrësit pretendonte të ishte tokë shtetërore dhe jo private, dhe që i kishte dhënë leje për investim (resort) biznesmeni libanez. Këtë vendim në atë kohë e ka dhënë kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, e cila etëm pak ditë më parë dha dorëheqjen si gjyqtare, duke i shpëtuar vettingut. Ky vendim solli përplasje në Gjirin e Lalzit mes biznesmenit, Seçunit dhe Muharremit. Vetë Pal Seçuni në vitin 2016 është hetuar nga policia për këtë ngjarje, megjithëse ai e ka mohuar diçka të tillë. 75-vjeçari ka deklaruar në atë kohë se nuk njihej personalisht me biznesmenin që u dhunua dhe që prona e tij nuk ishte e njëjta me atë Mitrit. Po ashtu për dhunimin e libanezit është shoqëruar në atë kohë edhe Landi Muharremi, i cili njihej si Rrumi i Shijakut. Ky i fundit ka lidhje e afërta edhe me Muharrem Muharremin, i përfshirë në konfliktin për pronat te Gjiri i Lalzit, që humbi biznesmeni libanez Faad Mitri. Realstory.al