Reforma zgjedhore, ekspertët “shkrijnë” KQZ dhe krijojnë 3 institucione apolitike

AKTUALITET


Komisioni Parlamentar për reformën zgjedhore do të mblidhet ditën e enjte për të diskutuar mbi propozimet e bëra nga ekspertët në lidhje me administratën zgjedhore. Ekspertët kanë propozuar ndryshime rrënjësore përsa i përket mënyrës së administrimit të zgjedhjeve pasi parashikojnë “shkrirjen” e KQZ-së që ne njohim sot, dhe krijimin e 3 institucioneve të tjera që duhet të jenë apolitike dhe që do të merren me procesin zgjedhor. Kështu në draft shkruhet se KQZ duhet të riformatohet dhe të përbëhet nga: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Sipas propozimit të ekspertëve “Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik (pra jo nga 7 anëtarë që KQZ ka aktualisht por vetëm 1 person) që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Ai zgjidhet nga Kuvendi dhe ka mandat 7 vjeçar të përtërishtëm”.


Ndërsa Komisioni Rregullator është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet.

“Komisioni Rregullator përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar. Kandidati për anëtar i këtij Komisioni Rregullatorit duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret për të qenë komisioner. Kriteri i eksperiencës profesionale në drejtim zëvendësohet për kandidatin për anëtar të Rregullatorit me kriterin e eksperiencës profesionale në hartimin, shqyrtimin dhe miratimin e akteve ligjore”, propozohet në draftin e ekspertëve.

Një tjetër strukturë e re që propozohet është ngritja e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. Ai është parashikuar si organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve të subjekteve zgjedhore dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të Kodit Zgjedhor. “Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve përbëhet nga 3 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar. Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit”, shkruhet në draft.

Sipas ekspertëve Komisioneri, anëtarët e Komisionit Rregullator dhe anëtarët e KAS-it zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Komisionerin, apo anëtarë të caktuar të Komisionit Rregullator ose të KAS-it, me shumicën e kërkuar të 3/5 të votave, atëherë administrata e Kuvendit hedh short midis të gjitha kandidaturave të paraqitura për votim Kuvendit për vendin përkatës.

Ekspertët kanë propozuar kritere strikte që duhet të përmbushin personat që do të zgjidhen si zyrtarë të në administratën zgjedhore dhe madje janë parashikuar që ata t’i nënshtrohen disa programeve të trajnimit.

Për të qenë zyrtarë të administratës zgjedhore personat e interesuar duhet të zotërojnë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur; të jenë në kushte shëndetësore që i lejojnë të kryejnë detyrën;  të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; ndaj tyre të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil, që nuk është shuar sipas ligjit për nëpunësin civil;  të kenë mbaruar arsimin e lartë, ose të jenë të paktën në vitin e fundit të studimeve të ciklit të parë “bachelor”.

Në draft shkruhet se këta persona që përfundojnë trajnimin si zyrtarë zgjedhorë pajisen nga KQZ-ja me dëshminë e zyrtarit zgjedhor.  “Zyrtarët zgjedhorë, pavarësisht se vijnë nga radhët e nëpunësve civilë ose jashtë administratës shtetërore i nënshtrohen vlerësimit të performancës së tyre në zgjedhje, sipas kushteve dhe procedurave që parashikon Kodi Zgjedhor, së bashku me sanksionet përkatëse në rast shkeljeje”, shkruhet në draft.

Ekspertët gjithashtu kanë propozuar ndryshime edhe në Njësinë e Administrimit Zgjedhor, e cila në Kodin aktual Zgjedhor quhet KZAZ ndërsa në draftin e ri do të quhet NJAZ (Njësia e Administrimit Zgjedhor). Sipas ekspertëve NJAZ ngrihet 90 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përbëhet nga 4 anëtarë dhe 2 sekretarë. “Zyrtarët zgjedhorë të NJAZ-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me barazi gjinore, me short, midis personave të trainuar si zyrtarë zgjedhorë. Kryetari dhe zëvendëskryetari i NJAZ-it caktohen nga KQZ-ja në aktin e emërimit, mbi bazën e kriterit profesional, eksperiencës së mëparshme zgjedhore dhe eksperiencës drejtuese administrative. Sekretari i NJAZ-it është përherë me profesionin e juristit. Në ditën e votimit NJAZ-i vepron i ndarë në dy grupe të balancuara (dy anëtar – një sekretar), të cilët qendrojnë në detyrë njeri pas tjetrit dhe ndërrohen me njeri tjetrin çdo 8 orë, deri në përfundim të numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit në nivel NJAZ-i”, propozojnë ekspertët.

Po kështu ndryshon edhe KQV e cila propozohet të quhet Njësia e Adminstrimit të Votimit shkurt NJAV. NJAV është parashikuar të jetë struktura e administratës zgjedhore e ngarkuar me kryerjen e procedurave të votimit në qendrën e votimit. “NJAV-i formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga tri zyrtarë zgjedhorë: zyrtari mbikëqyrës, zyrtari i qartësimit të votuesve, zyrtari i procedurave të votimit.  NJAV-i ka për detyrë të kryejë identifikimin e votuesve përpara votimit, të udhëzojë dhe drejtojë votuesit për ushtrimin individualisht, në liri dhe fshehtësi të së drejtës së votës, të kujdeset për zhvillimin dhe mbylljen e rregullt të procesit, si dhe të ruajë dhe administrojë nën përgjegjësinë e vet materialin zgjedhor. Edhe zyrtarët zgjedhorë të NJAV-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trainuar si zyrtarë zgjedhorë”, propozojnë ekspertët.

Ndërsa grupet e numërimit të votave në draftin e ri cilësohen si Njësia e Administrimit të Numërimit ose shkurt NJAN. “NJAN-i formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga dy zyrtarë zgjedhorë. Zyrtarët zgjedhorë të NJAN-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trainuar si zyrtarë zgjedhorë në sistemin e trainimit të KQZ-së. NJAN-i bën vlerësimin e votave, numerimin e tyre për çdo subjekt zgjedhor dhe tabulimin e rezultatit të qendrave të votimit. Kompetenca për vlerësimin e votave, numerimin e tyre për çdo subjekt zgjedhor dhe tabulimin e rezultatit të qendrave te votimit është kompetencë ekskluzive e NJAN-it. Vendimmarrja e NJAN-it në ushtrim të kësaj kompetence mund të ndryshohet vetëm sipas procedurës ankimore të Kodit Zgjedhor”, propozojnë ekspertët.

Në përfundim ekspertët sqarojnë se këto amendamente synojnë që partitë politike ta ruajnë besimin ndaj menaxhimit të zgjedhjeve, jo më nëpërmjet pjesëmarrjes në administrim, por nëpërmjet rritjes së mundësive dhe hapësirës për vëzhgim.

Të gjitha këto propozime do të diskutohen në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore ditën e enjte./realstory.al




Skip to toolbar