Teksa jemi vetëm pak ditë larg zgjedhjeve vendore, ka filluar organizimi për mbarëvajtjen e votimeve. Policia e Shtetit do të ketë aktivë dhe të angazhuar posaçërisht për zgjedhjet e 14 majit, 5500 efektivë policie.
Shumica e trupës policore do të angazhohen për transportimin dhe ruajtjen e materialeve zgjedhore. Arsyet që mund të kërkojnë ndërhyrjen e forcave të policisë brenda ambienteve të qendrave të votimit janë dy, për raste emergjente si incidentet ose përndryshe vetëm me kërkesë nga kryetari i qendrës së votimit.
Përgjatë 3 muajve të fundit, rreth 7 mijë punonjës janë trajnuar dhe kanë marrë direktivat e duhura për zgjedhjet vendore të 14 majit, në bashkëpunim me OSBE-në dhe KQZ-në.
Në mbarim të procesit të votimit në orën 19:00, policia do të bëjë shoqërimin e kutive të votimit drejt KZAZ-ve, bazuar në një udhëzim të paracaktuar. Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje KZAZ-të në të gjithë vendin që në momentin që është ngritur infrastruktura e nevojshme për zhvillim e zgjedhjeve.