Kryeministri Edi Rama deklaron se për reformën zgjedhore, mazhoranca është angazhuar publikisht qysh pas zgjedhjeve të vitit 2017, për çështjen e futjes së sistemit elektronik në zgjedhje.
Ai tha sot nga foltorja e Kuvendit se i është kujtuar opozitës se nëse duan elektronikën në procesin zgjedhor, kolegët duhet të angazhoheshin menjëherë sepse procesi nuk është i lehtë dhe sistemi i ri kërkon kohën e vetë.
“Në asnjë rast ODHIR nuk ka qenë optimist për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Porositë janë dhënë në mënyrë të prerë që teknologjia në zgjedhje, nëse futet futet, duhet futur me faza dhe jo e gjitha menjëherë. Penetrime dhe hakerime që mund të dëmtojnë procesin zgjedhor, janë të mundura”, u shpreh Rama.
Sipas tij, axhenda e opozitës ishte dhe mbetet krejt tjetër.
Kreu i qeverisë deklaroi se ndërsa ndodhemi në metrat e fundit para marrjes së një vendimi nga Brukseli, ka ende një të mirë të madhe.
“Pavarësisht se i kishim votat, ne nuk e bëmë këtë dhe më shumë se një herë i shtymë afatet në funksion të të bërit gjësë së duhur, me synim për të arritur një marrëveshje mbi rregullat e lojës.
Më shumë se njëherë i bëmë thirrje opozitës, por kemi humbur shumë kohë. Sepse kur përcaktohen rregullat e lojës, është e drejtë që të gjitha palët e përfshira të kenë zërin dhe të drejtën që të kërkojnë korrektimin për rregullat e lojës. Shqipëria, dhe Kosova për arsye tjetër janë raste unikale, pasi askund tjetër nuk bëhen me konsesus Reformat. Nuk bëhen. Kush ka votat në parlament, bën reformat“, tha Rama.