Zgjerimi i BE, Franca, me 6 faqe dokument për modelin e ri

POLITIKË


Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të presin ende dhe të bëhen pjesë e një procesi të ri, që do të zhvillohet hap pas hapi, për t’u bërë anëtare të BE. Franca ka paraqitur një dokument 6-faqëshe, e cila ndodhet aktualisht në duar e diplomatëve të BE, ku tregon një anëtarësim gradual të vendeve që aspirojnë BE-në, një integrim hap pas hapi me plotësimin dhe zbatimin e çdo kapitulli.

Sipas “EU Observer”, dokumenti është shpërndarë më 15 nëntor dhe paraqitet modeli i ri francez i pranimit të plotë të vendeve brenda BE. Zgjerimi i BE-së aktualisht funksionon duke hapur negociatat e pranimit me vendet kandidate, të cilat përfshijnë 35 “kapituj” të ligjit evropian. Pasi bien dakord të bëjnë reformat e nevojshme vendet pranohen si anëtare të plota në BE.


Por në modelin e ri francez, ata do të bënin reforma në një proces prej 7 hapash, duke fituar mundësinë e programeve dhe fondeve të zgjedhura të BE-së gjatë rrugës për secilin hap, përpara se të arrinin në “pranimin e plotë”. Kalimi në fazën tjetër do të bëhet pasi vendi kandidat, jo vetëm të ketë miratuar legjislacionin e nevojshëm, por edhe ta zbatojë në mënyrë korrekte në praktikë.

Shtatë hapat janë: (i) sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore; (ii) arsimi dhe puna kërkimore; (iii) punësimi dhe çështjet sociale; (iv) çështjet financiare; (v) tregu i vetëm, bujqësia dhe peshkimi; (vi) punët e jashtme; dhe (vii) “të tjerët”.

Pra një vend kandidat do të fitonte qasje edhe më të shpejtë në një program të caktuar apo ndihmë të BE që korrespondon me një etapë të përmbyllur, por që objektivi final është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian.   

Ministrat e punëve të BE do të zhvillojnë bisedime mbi idetë franceze të martën në Bruksel, ndërsa çdo ndryshim që mund të bëhet duhet të arrihet në unanimitet të plotë. Nëse çdo gjë pranohet, atëherë pritet që Komisioni Europian do të realizojë idetë me dokumente ligjore më të hollësishme deri në Janar 2020.




Skip to toolbar