Deschamps paralajmëron të tijët: Shqipëria na ka mundur!

AKTUALITET


Ndryshe nga kapiteni i skuadrës, trajneri i Francës Didier Deschamps është me këmbë në tokë, kur vjen puna për të vlerësuar kombëtaren shqiptare. Pas fitores së vështirë me përmbysje ndaj Moldavisë, Deschamps tregon se Shqipëria është një ekip që meriton respekt, dhe se të dielën do të tregojë dashurinë për futbollin. “Do të thosha që nesër do të jetë një ndeshje e fortë, pasi do të luajnë në fushën e tyre, në inaugurimin e stadiumit. Shqiptarët do të manifestojnë dashurinë e tyre për futbollin”, tha trajneri francez.

I pyetur nga gazetarët se nëse do të zgjidhte një futbollist shqiptar për kombëtaren e Francës, Deschamps dha përgjigje diplomatike. Por vlerësimin për lojtarët e kombëtares tonë e ka maksimal, për këtë ai kujtoi humbjen që Shqipëria i shkaktoi Francës në kualifikueset e Euro 2016 në Elbasan. “Do përpiqem të jap një përgjigje. Mund të përzgjedh vetëm lojtarë francezë, jo shqiptar (qesh). Do thosha që ju keni lojtarë të një cilësie të mirë, duhet ta pohoj këtë. Duhet t’i referohem dhe humbjes që pësuam në Elbasan 1-0. Duhet të them se lojtarët shqiptarë kanë një cilësi të mirë”, tha trajneri Deschamps.


Megjithatë, synimi i Francës është fitorja ndaj Shqipërisë. Trajneri shprehet se nesër do të ketë përballë një ekip të motivuar, por pretendon se do dalë nga “Air Albania Stadium” me tre pikë. “Jam i bindur që nesër do të kemi përballë një ekip të motivuar. Ndeshjet me Moldavinë dhe Turqinë janë harruar, i përkasin të shkuarës. Unë besoj se ekipi im, nesër do të bëjë një performancë të mirë, ndaj Shqipërisë së motivuar. Do të thosha që edhe për nesër unë pres dhe ndihmësi im e ka përgatitur ndeshjen, që ekipi im të marrë një rezultat pozitiv. Ndeshjen e Shqipërisë me Andorrën e kam parë, pasi duhet të përshtatej skema për sfidën e ardhshme”, shtoi trajneri i Deschamps.




Skip to toolbar