Zgjidhet raportuesi i KE për Kosovën, uron Balla: Mbështetës i integrimit të Ballkanit

POLITIKË


Diplomati gjerman Peter Beyer fitoi garën ndaj diplomatit rus Aleksey Kondratyev për postin e raportuesit të Këshillit të Europës për Kosovën. Në votimin e të enjtes në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Beyer fitoi bindshëm me 33 vota ndaj diplomatit rus Kondratyev, i cili mori vetëm 6 vota.

Diplomati gjerman Peter Beyer konsiderohet një prej njohësve më të mirë gjermanë të zhvillimeve në Ballkan dhe sidomos në Kosovë. Ai ka kërkuar shpesh arritjen me dialog të një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Zgjedhja e tij pritet të kalojë edhe nëpër instanca të tjera të Këshillit, por votimi i mbajtur të enjten është faza më e rëndësishme. Zgjedhja e Peter Beyer si raportuesi i Kosovës në Këshillin Europian është përshëndetur edhe nga sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, i cili e vlerëson si një mbështetës të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. “Sapo urova kolegun Peter Beyer për zgjedhjen në Asamblenë Parlamentare. Ai mori detyrën si Raportues për Kosovën, pasi fitoi 33 vota, kundrejt deputetit rus Kondratyev (6 vota). Peter Beyer është një njohës i mirë dhe mbështetës i rrugës Europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor” shkruan Balla në Twitter.





Skip to toolbar