Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm i Olsian Çelës u përshëndet edhe nga ambasadori gjerman Peter Zingarf, duke e cilësuar një hap thelbësor për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rritjen e besimit të qytetarëve te drejtësia.
Zingraf u takua me Prokurorin e ri të Përgjithshëm Olsian Çela dhe e përgëzoi atë për detyrën e re, që mori në datën 5 dhjetor.
“Gjermania, së bashku me Bashkimin Evropian, ka mbështetur gjithmonë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri dhe do ta vijojë të bëjë këtë edhe në të ardhmen. Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm përmes parlamentit pas verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një hap thelbësor në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe do të konsolidojë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. I uroj Prokurorit të ri të Përgjithshëm shumë forcë dhe suksese në detyrën e tij të rëndësishme” tha Zingraf.
Olsian Çela u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 5 dhjetor me 101 vota si prokurori i ri i Përgjithshëm me një mandat 7-vjeçar. Dosja e parë me të cilin ai nisi punën është në lidhje me hetimet e ndërtesave të prishura nga tërmeti i 26 nëntorit duke u shprehur se “qytetarët presin drejtësi”.