Tërmeti, Çuçi: Më 16 janar gati fatura

AKTUALITET


Bledi Çuçi, Drejtues Qendror i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, bëri një bilanc të situatës pas tërmetit të 26 nëntorit, që nga situatat e para të operacioneve të kërkim-shpëtimit të njerëzve nën rrënoja e deri te vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në zonat e prekura. Çuçi tha se operacionet e kërkim-shpëtimit u kryen nga 9 ekipe, të përbërë nga 278 trupa shqiptarë dhe 669 të huaj. Ministri tha se ende nuk ka një faturë të saktë dhe përfundimtare të dëmeve që shkaktoi tërmeti i dy javëve më parë, por fatura pritet të jetë gati më 16 janar.

“Forcat tona të kërkim-shpëtimit nxorën nga rrënojat 38 njerëz, ndërkohë që së bashku me trupat e huaja, u nxorën nga rrënojat edhe 10 njerëz të tjerë, 3 prej të cilëve, fatkeqësisht humbën jetën më vonë në spital. Deri më sot, ju kemi siguruar strehimin e përkohshëm rreth 13 294 qytetarëve të prekur nga tërmeti ku, 4 149 qytetarëve i strehuam në hotele; 395 në Qendra Sociale; 254 qytetarë i strehuam në palestra dhe 7 383 në çadra. Ndërkohë, mbi 1000 banorë të tjerë janë strehuar në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në Kosovë”, tha Çuçi.


Në lidhje me vlerësimin e banesave të dëmtuara, ministri Çuçi tha se mbi 100 grupe inspektimi kanë verifikuar banesat e dëmtuara nga tërmeti në të gjithë qarkun Durrës, Tiranë e Lezhë. 14 069  janë inspektuar deri tani ku 261 pallate dhe 2237 banesa janë dëmtuar rëndë.

“Në përbërje të këtyre grupeve kemi angazhuar 500 inxhinierë vendas dhe 81 ekspertë e inxhinierë konstruktorë nga 11 vende partnere. Ky proces dinamik vijon. Deri më sot, në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti janë inspektuar 14 069 objekte, nga të cilat: 261 pallate janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht; 2 237 banesa janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht; 851 pallate kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta dhe 4 618 banesa kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta. Deri më sot, janë shembur 44 objekte, kryesisht në qarkun Durrës, të përcaktuara si me rrezikshmëri shumë të lartë”, tha Çuçi

Sa i përket programit të rindërtimit Çuçi tha se deri më sot, janë në dispozicion 20 miliardë lekë për zbatimin nga të cilat 13 miliardë lekë nga buxheti i shtetit; dhe 7 miliardë lekë nga donacionet.

“5 753 donatorë dhuruan në total 58.5 milionë lekë përmes platformës qeveritare e-albania; Qeveritë e huaja, fondacionet, bizneset dhe individët dhuruan 9 milionë Euro në llogaritë bankare të vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare; 23 milionë Euro është totali i fondeve të dhuruara nga donatorë si BE (15 milionë Euro), qeveri të vendeve të tjera si Turqia e cila ka marrë përsipër vendosjen në dispozicion të 500 apartamenteve”, tha Çuçi




Skip to toolbar