11 minuta njëri, 11 minuta tjetri: Mbarojnë punë shpejt Meta e Basha

AKTUALITET


Ka zgjatur vetëm 22 minuta takimi mes kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe presidentit Meta mëngjesin e kësaj të enjteje të nxehtë vere, jo vetëm nga moti por edhe nga situata politike, pavarësisht përpjekjeve të vonuara të Metës për zgjidhje.

“Sot prita në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha për të diskutuar mbi krizën aktuale që po kalon vendi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë”, shkruan Meta pas takimit me Bashën.


Deri tani Meta dhe Basha kanë mbajtur të njëjtin qëndrim përsa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit. Basha dhe aleatët kanë vendosur të mos marrin pjesë në këto zgjedhje, ndërsa presidenti ka anuluar zhvillimin e tyre përmes një dekreti të cilësuar nul nga Kolegji Zgjedhor dhe KQZ.

Sot prita në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha për të diskutuar mbi krizën aktuale që po kalon vendi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë.

Gepostet von Ilir Meta am Donnerstag, 27. Juni 2019

Opozita prej muajsh ka zhvilluar protesta të dhunshme kundër zgjedhjeve, madje dhe ka sulmuar KZAZ-të. Ndërsa realstory.al ka zbuluar skenarin e errët të saj për të mos lejuar zhvillimin normal të zgjedhjeve të 30 qershorit duke bllokuar rrugët për materialet zgjedhore. Nuk dihet ende nëse opozita do të vazhdojë me këtë skenar deri të dielen, duke marrë parasysh edhe rolin e ndërkombëtarëve të cilët kanë mbështetur zhvillimin e zgjedhjeve dhe kanë bërë apel që të mos ketë akte dhune.

Takimi i së enjtes mes Bashës dhe Metës është i pari takim zyrtar për krizën, megjithëse burimet konfirmojnë se ata të dy kanë pasur takime dhe komunikim të vazhdueshëm, madje shpeshherë kanë folur në publik me të njejtën gjuhë.

Presidenti Meta ka ftuar të enjten edhe kryeministrin Rama në një  takim të ngjashëm, takim ky  që është refuzuar nga kryeministri.

Në letrën dërguar Kryeministrit Rama, Presidenti thekson se e pret atë në takim ditën e enjte deri në orën 13:00. Letra është dërguar nga shefi i kabinetit të Presidencës, Arben Cici, në drejtim të shefes së kabinetit të Kryeministrisë, Vali Bizhga, ku i theksonte se: “Dëshiroj t’ju bëj me dije se Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mirëpret nesër (sot), datë 27 qershor 2017, në një takim Kryeministrin Edi Rama për të biseduar për situatën politike në vend, në çdo dorë që ai mundet, duke filluar nga mëngjesi herët ora 05:00 deri në orën 13:00, në zyrën e tij në Presidencë. Ju lutem, bëjeni me dije Kryeministrin për sa më sipër. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetem në pritje të përgjigjes suaj”.

Pavarësisht ftesës së bërë nga ana e Presidencës për të diskutuar për situatën politike në vend, Kryeministri Rama iu përgjigj Metës nëpërmjet rrjetit social “Twitter”. Ai theksoi se nuk do të shkojë në takim te Meta, për shkak se është në fushatë zgjedhore.

“Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial, ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh, kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim. Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim: Kemi zgjedhje, jam i zënë. E meqë ra llafi te loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çmendurie pres edhe një tjetër. Seç kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor”, theksoi kreu i qeverisë në reagimin e tij.

Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i presidentit rikonfirmoi qëndrimin e Metës për ta pritur Kryeministrin Rama në takim deri në orën 13:00. Të shohim se çdo të ndodhë deri në atë orë.




Skip to toolbar