Presidenti Ilir Meta vazhdon të këmbëngulë në zbatimin e dekretit të tij për zhvillimin e 3 proceseve zgjedhore në 13 tetor, megjithëse e di mirë që kjo datë ka rënë.
Tani që mori mbështetjen e Bashës, presidenti shkruan se tani është koha që palët të takohen me njëra-tjetrën për të rënë dakord për zhvillimin e zgjedhjeve, madje dhe ato presidenciale (por këtu nuk e përmend ndryshimin e Kushtetutës!).
“30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.
Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor. KOHA ËSHTË TANI! Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!”, shkruan Meta në Facebook.
Dekreti i Metës për anulimin e zgjedheve të 30 qershorit u cilësua nul nga KQZ dhe nga Kolegji Zgjedhor, i cili në argumentet që dha e tha qartë se edhe dekreti i ri për zgjedhjet në 13 tetor ëshët nul. Kjo për faktin se në bazë të Kushtetutës presidenti dekreton datën e zgjedhjeve 9 muaj para afatit kushtetues. Që të dy dekretet e Metës i kanë tejkaluar afatet kushtetuese dhe si të tilla janë nul, të pavlefshme dhe këtë presidenti Meta e di shumë mirë.
Ndërsa kërkesa tjetër për zgjedhje presidenciale është kryekëput jashtë çdo kornize kushtetuese dhe realiteti në të cilin ndodhemi. Presidenti në Shqipëri zgjidhet nga parlamenti, që të zgjidhet nga populli kërkohen ndryshime kushtetuese. Por këto ndryshime i ka në dorë maxhoranca e cila është kategorikisht kundër këtij propozimi. Kështu që Basha nuk i duhet fare Metës në këtë pikë, pasi ai nuk ka asnjë votë në parlament që t’i japë atij.
I mbetur i zhvlerësuar si nga institucionet shtetërore ashtu edhe nga ndërkombëtarët, Meta kujtohet të bëjë negociatorin mes palëve duke përmendur datën e çeljes së negociatave, datë e cila u shty edhe për shkak të situatës së ndezur politike në vend, ku opozita e nxitur nga presidenti sulmoi me molotov KZAZ-të, duke shkaktuar një dëm të madh të imazhit të Shqipërisë në Europë. Kjo thirrje e fundit e Metës duket qartë se nuk ka asnjë vlerë dhe është nul, njëlloj si dekretet e tij./Realstory.al