Bardhi: Kur të jenë zgjedhjet e ardhshme, në Elbasan do fitojmë ne

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi zhvilloi takime me strukturat e kësaj partie në qarkun e Elbasanit. Bardhi, pas takimeve që pati në disa qytete të qarkut të Elbasanit, reagoi në rrjetet sociale ku shprehet se i “gjeta demokratët të angazhuar”. Sipas tij, në zgjedhjet e ardhme Partia Demokratike do të fitojë 55% të votave në Elbasan.

“Në qarkun e Elbasanit i gjeta demokratët të angazhuar në të gjitha nivelet e partisë për të bërë për vete sa më shumë qytetarë në Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Cërrik, Peqin, Gramsh dhe Belsh. Demokratët e këtij qarku, megjithëse nën presionin e bandave të lidhura me pushtetin e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Qazim Sejdinit, ia kanë dalë të rriten e të forcohen dhe në zgjedhjet më të para të lira e të ndershme, bashkë me aleatët tanë, ne të fitojmë në qark më shumë se 55% të votave.


Nënat dhe baballarët e qarkut të Elbasanit e duan ndryshimin që të mos i shohin fëmijët e tyre të ikin si refugjatë, pse bandat e pushtetit nuk i lënë të ngrenë kokën. Të rinjtë e qarkut të Elbasanit e duan ndryshimin që të ndërtojnë një jetë dinjitoze në vendin e tyre, ku vlerësohet aftësia, ndershmeria dhe jo servilizmi e hajdutëria!  Nga takimet që pata në Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Cërrik, Peqin, Gramsh dhe Belsh jam plot besim që sëbashku do t’ia dalim!”, shkruan Gazment Bardhi.




Skip to toolbar