Prokuroria e Dibrës ka zgjatur me tre muaj afatet për hetimet e mëtejshme në dosjen e bujshme “184”, e cila përmban përgjimet e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste, ministrave, ish-ministrave dhe deputetëve, për pazaret e shit-blerjes së votave në Qarkun e Dibrës, gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2016.
Ndërkaq ka dhe një zhvillim të ri pasi dosja “184” ka ndryshuar edhe numrin, duke marrë numrin e ri “385”, për shkak se është regjistruar si procedim në Prokurorinë e Dibrës. Dosja ku po hetohet shit-blerja e votave, u transferua në Dibër, pasi Krimet e Rënda shpallën moskompetencë.
Dy prokurorët e Dibrës që po merren me këtë dosje janë Rifat Kojku dhe Belina Zeneli.
Krimet e Rënda shpallën moskompetencë për këtë dosje, pasi prokurorët gjykuan se të dyshuarit nuk përfshihen në grup të strukturuar kriminal.
Kjo është një nga dosjet më të bujshme, ku gjatë fushatës të vitit 2016 për zgjedhjet e pjesshme vendore në Dibër, janë përgjuar disa ministra dhe ish-ministra, si dhe kryeministri Edi Rama, me persona dhe drejtues lokal të PS.
Në fakt, përgjimet e prokurorisë u bënë publike nga media gjermane Bild, ndërsa opozita i ka përdorur për të sulmuar qeverinë, duke e akuzuar për përfshirjen ne vjedhjen e votave.