Alizoti: “Pse Salianji e bëri “Babalen”

AKTUALITET


I pandehuri për dosjen e famshme “Babale”, Fredi Alizoti, ka dëshmuar të hënën në seancë dëgjimore ku ka zbardhur të tjera akuza ndaj ish deputetit të PD-së, Ervin Salianji. Alizoti akuzon drejtëpërdrejtë Salianjin si skenaristin e përgjimit të famshëm, ku në audio presupozohet se shfaqet zëri i Agron Xhafajt, vëllait të ish ministri Fatmir Xhafaj teksa bën pazare për trafik droge. Alizoti i është përgjigjur pyetjeve të gjykatësit teksa ka thënë për të bërë zërin e Agron Xhafajt ai do të paguhej 200 mijë euro nga Salianji, por më pas ai i ka dalë nga fjala.

“200 mijë euro për regjistrimin që do të bëhej. Unë kam bërë aty zërin e Agronit, lekët do të m’i jepte Ervin Salianji. Mua nuk m’u dha shuma dhe prandaj kam bërë kallëzim penal. Regjistrimin e dërguam tek zyrat e PD te Ervin Salianji, do e përdorte për qëllime politike për të goditur Xhafajn”, ka dëshmuar Alizoti, i cili më tej ka thënë se lekët ka shkuar për t’i marrë te ish truproja i Berishës ku i premtohej se do t’i merrte shumë shpejt.

“Po por unë nuk i mora. Në atë kohë kam ndenjur te Sali Lusha për lekët. Na thonin jo sot jo nesër. E kanë veshur me mjekër e paruke Albert Veliun për ta dërguar në Kosovë. Ma ka thënë kamarieri të PD-ja. Unë do merrja 100 mijë euro. Se paratë do ndaheshin. M’u dukën shumë dhe thash hajt se po e bej. Albert Veliu ka numrat e gjysmave të biznesmenëve në  Tiranë”, është shprehur Alizoti në seancën gjyqësore.

Ai është pyetur nga avokati Ledio Braho për të dhënë detaje të mëtejshme për regjistrimin dhe premtimet që u janë bërë nga eksponentë të PD. Alizoti ka thënë se përveç parave Albert Veliut i është premtuar edhe azil politik.

“Në janar dhe do merrja 100 mijë unë dhe Albert Veliu. Përveç vlerës monetare Albert Veliu kishte edhe përfitimin për azil politik. Mendoj se ai i ka marrë shumën e parave që u ra dakord. Më mbajti në ajër. Mori vetë azil dhe iku e mua me la në ajër. Albert Veliu nuk ka qenë korrekt me mua.

Gabimi im më i madh dhe faji im është që nuk e regjistrova dhe ta shihnit që çfarë më ka thënë. Se do imitoja zërin e Agron Xhafës e ka ditur vetëm një shoku im nga Elbasani (Çelnik Biba rri në Tiranë)”, është shprehur Alizoti.

Ai thotë se është takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si dhe me Florenc Hoxhën, i cili kishte rolin e sekserit.

Te PD-ja jam takuar me Ervin Salianjin dhe Gazment Bardhin. Kanë qenë edhe disa persona të tjerë. Kam folur në telefon një herë me Ervin Salianjin me vonë nuk ma ka hapur. Përherë kam folur me Florenc Hoxhën, nuk kisha pse të flisja me njeri tjetër. Hoxha ishte sekseri i Salianjit për regjistrimin që bëmë ne. I kam thënë edhe Sali Lushës e një shokut tim pasi doli video ca të marrim të marrim. Dhe do i ndajmë të tre”, është shprehur Alizoti në gjyq.

Ai më tej ka thënë se ndihet i kërcënuar nga Salianji dhe nga njerëzit e PD-së.

“Ndihem i rrezikuar nga Ervin Salianji dhe njerëzit e PD-së. Po shihja lëvizjet por jo se më kanë bërë presion. E ndjeja rrezikun se në këtë vend ça nuk po bëhet. Ata më lanë takim që filan ditë në 12 të natës do vish të marrësh lekët. Kjo gjë dhe ky orar nuk më pëlqeu”, ka thënë Alizoti në gjyq.

Dosja e famshme “Babale” bëri bujë të madhe pasi në një përgjim audio dilte sikur Agron Xhafaj vëllai i Fatmir Xhafajt, aso kohe ministër i brendshëm bënte pazare për trafik droge me Albert Veliun me pseudonimin Babale.  Përgjimi i publikua me bujë nga PD e cila kërkoi arrestimin e vëllait të Xhafajt dhe dorëheqjen e ministrit, por më pas doli në pah se audio ishte e sajuar dhe së zërin e Agron Xhafajt e kishte bërë Fredi Alizoti. Ky i fundit akuzon deputetin e PD-së Ervin Salianji për ngjarjen në fjalë./realstory.al



Skip to toolbar