Dy muaj pas tërmetit, Basha: Thumana, krim shtetëror

AKTUALITET


Pak orë pasi qeveria prezantoi platformën onlinë për të aplikuar për rindërtimin, erdhi dhe reagimi i kryedemokratit Lulzim Basha. Duke kujtuar ngjarjen tragjike të dy muajve më parë, Basha akuzon qeverinë se dështoi për menaxhimin e situatës. Sipas Bashës, qeveria ende nuk ka faturën e dëmeve gati, nuk ka një vlerësim përfundimtar për objektet e pabanueshme dhe të dëmtuara. Gjithashtu ai akuzon se shumë familje janë ende nëpër çadra duke kaluar ditët e ftohta të dirmit.

“Dy muaj pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ndërsa përkujtojmë me dhimbje 51 jetët e humbura, të gjithë jemi dëshmitarë sesi shteti i babëzisë dhe korrupsionit ka dështuar në çdo detyrë. Sot nuk ka ende një faturë reale dëmesh të vlerësuara. Sot nuk ka ende një vlerësim përfundimtar të objekteve të pabanueshme dhe të dëmtuara. Sot ka ende mijëra familje që kalojnë ditët e ftohta nëpër çadra, pa asnjë ndihmë nga shteti.

Sot qytetarët vazhdojnë të sorollaten nga njëra zyrë në tjetrën për të marrë bonusin e qerasë. Sot ka mijëra qytetarë të cilët nuk kanë ku të fusin kokën dhe nga dëshpërimi, janë futur në banesat e dëmtuara duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të fëmijëve. Sot fëmijë e të moshuar janë në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kushteve të vështira në të cilat po mbijetojnë që prej dëmtimit të shtëpive. Ende banorët pyesin se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre, por nuk marrin përgjigje.

Ende sot nuk ka asnjë masë për të ndihmuar në ringritjen e biznesit në Durrës e në zona të tjera të dëmtuara nga tërmeti.  Shumë biznese po mbyllen e qindra qytetarë po mbeten pa punë. Rënia ekonomike e Durrësit sjell rënie ekonomike të të gjithë vendit. Sot është e qartë për qytetarët se kjo qeveri dhe ky kryeministër i dështuar prodhon vetëm gënjeshtra dhe korrupsion, gjë të cilën e vërtetoi edhe raporti i Transparency International”, shkruan Basha.

Më tej, Basha rikthehet te retorika e “oligarkëve”, duke u shprehur se “150 milion dollarë që u jepen 10 oligarkëve, t`u akordohen qytetarëve”. Ndërsa akuzat nuk i kursen as për prokurorinë, që sipas tij, për 24 viktimat e Thumanës, të cilën Basha e quan “krim shtetëror” nuk ka ende asnjë hetim apo të arrestuar.

“Nëse 150 milion dollarët që Edi Rama u jep 10 oligarkëve do të ishin akorduar për qytetarët, sot do të ishin strehuar në banesa me qera cdo qytetar që është lënë në mëshirë të fatit. Nëse qeveria do të kishte miratuar paketën ndihmëse për biznesin e dëmtuar, do të kishte nisur rimëkëmbja.  Ndërkohë për krimin shtetëror në Thumanë që mori 24 jetë, nuk ka asnjë të arrestuar, asnjë hetim serioz, vetëm heshtje nga prokuroria politike që mbron Dakon dhe Bushin me urdhër të Edi Ramës.

Çdo ditë dështimi dhe mashtrimesh, është një ditë vuajtjesh më shumë, një mundësi e humbur për tu ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë dhe për të kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike dhe rikthimin në normalitet të jetës së mijëra familjeve. Dhimbja dhe vuajtja e tyre nuk mund të kapërcehen me lugën bosh të një kryeministri të dështuar”, shkrun Basha.



Skip to toolbar