2 viktima në zgjedhjet ruse, rivali i Putin premton fundin e “operacionit special” në Ukrainë

BOTA


2 vetë u vranë dhe 3 të tjera u plagosën nga një sulm me raketa ukrainase në qytetin e Belgorod në kufi me Rusinë, tha guvernatori rajonal këtë të shtunës, teksa qytetarët rusë votonin për presidentin e ri.

Vjaçeslav Gladkov, guvernatori i Belgorodit njoftoi se shkollat e qendrat tregtare ishin mbyllur për arsye sigurie ndërsa qendrat e votimit mbetën të hapura.

“Edhe në fillim, javën e ardhshme i bëjmë thirrje prindërve të mbajnë fëmijët në shtëpi. Nuk jemi të sigurt. Jemi thellësisht të shqetësuar. Situata është e paqartë dhe e pasigurt në të gjithë rajonin e Belgorodit. Siguria në këtë moment është primare”, tha guvernatori.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamje të personelit ushtarak duke votuar, për të zgjedhur edhe ata presidentin e ri të vendit. Një nga kandidatët për president, Leonid Slutsky votoi në një nga qendrat e votimit në Moske këtë të shtunë.

“Kjo është dita e të vërtetës, më e rëndësishmja në historinë moderne post-sovjetike. Fati i Rusisë, bota ruse, civilizimi rus, varen nga mënyra sesi votohet sot. Sot vendoset edhe fati i operacioni special ushtarak, që shpresojmë të përfundojë këtë vit. Ne do bëjmë gjithcka për ta arritur këtë”, tha ai.

Kremlini tha se ushtria ruse parandaloi disa përpjekje të ushtrisë ukrainase për të penetruar nga kufijtë rusë. Një raketë balistike ruse goditi më herët një zonë banimi në qytetin port të Odesës në Detin e Zi, duke vrarë 21 persona e duke lënduar më shumë se 70 të tjerë, në sulmet më vdekjeprurëse të Moskës në javët e fundit.



Skip to toolbar