4 kandidatët për postin e Kryeprokurorit, KLP nis intervistat në shtator

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë në ditët e para të muajit shtator intervistat me kandidatët për postin e prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë.

Aktualisht ky post është mbajtur nga prokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, por me përfundimin e procesit të vettingut në shtator do të zgjidhet prokurori i përgjithshëm me mandat të plotë.

Në garë për këtë post të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë janë 4 kandidatë: Arta Marku, Olsian Çela, Lulzim Alushaj dhe Fatjona Memçaj, që të katërt kanë kaluar me suksesh procesin e vettingut.

Katër kandidatët për karrigen e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme pritet të dalin në një intervistë pikëzimi dhe përzgjedhje nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe sipas burimeve pritet që kjo të ndodhë maksimumi deri në javën e parë të shtatorit.

Arta Marku rikandidon për Prokurore e Përgjithshme. Ajo ka kaluar edhe procesin e vettingut. Olsian Çela është një tjetër kandidat që konkurron përkrah Alushajt dhe Markut.

Me një eksperiencë të gjatë pune dhe përvoje në prokurori, Olsian Çela mbahet mend si prokurori që çoi në qeli dy kolumbianë dhe ish-nipin e diktatorit Enver Hoxha, në atë që njihet si dosja “Xibraka”. Çështja përfshiu edhe shumë emra të tjerë si të përfshirë në përpunimin dhe trafikimin e heroinës në territorin shqiptar. Çela u vlerësua me notën maksimale nga komisioni i vetting-ut në dy shkallët e tij.

Fatjona Memçaj përfundoi shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Gjithashtu ka mbaruar studimet për doktoraturë në universitetin Middlesex Londër. Njihet si prokurorja që dënoi në Apel Kastriot Ismailin. Gjithashtu, ajo njihet dhe si një nga prokuroret e përkrahura nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Lektorja i kaloi dy shkallët e vetting-ut me sukses, pa u kapur në shkelje pas hetimit të 5 çështjeve dhe pasurisë së vënë ndër vite.

Emri i avokatit Lulzim Alushaj është një prej atyre që lakohet fort në qarqe të Drejtësisë. Alushaj 14 vite më parë arriti të marrë titullin profesional “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë në Itali, ndërsa mban edhe gradën doktor i shkencave juridike, kualifikim të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në Napoli të Italisë.

Alushaj përfundoi në 2005 masterin për jurist ndërkombëtar në Universitetin e Bolonjës në Itali, ndërsa gjatë periudhës 2000-2004 është diplomuar në Jurisprudencë në Universitetin e Bolonjës.

Siç shihet që të 4 kandidatët për postin e kryeprokurorit janë të mirëkualifikuar, por pritet vlerësimi nga KLP, i cili në javën në parë të shtatorit do të bëjë pikëzimin e tyre dhe më pas kandidatët do të kalojnë për miratim në Kuvend.

4 kandidatet per postin e Kryeprokurorit


Skip to toolbar