“I keqardhur që Basha nuk është, të shtunën listat e zgjedhjeve”

POLITIKË


Pas përfundimit të mbledhje së kryesisë së Partisë Socialiste, Rama tha se ditën e shtunë do të vendosen emrat e kryetarëve që do të garojnë për 61 bashkitë e vendit.

“Kemi bërë një diskutim paraprak për t’i paraprirë vendimmarrjes së ditës së shtunë ku do të konsolidojmë të gjithë listën e kandidatëve për kryetarë të bashkive si dhe për këshillat bashkiakë. Për kryetarët e bashkive do vendosim emër për emër ditën e shtunë, për këshillat bashkiakë do konsolidojmë të gjitha kriteret dhe pastaj do të mandatojmë të deleguarit sipas qarqeve që t’i depozitojnë sipas afatit listën e kandidatëve për këshillat e bashkive për zgjedhjet e 30 qershorit. Në 30 qershor ne do të kërkojmë votën e qytetarëve në të 61 bashkitë e vendit për të marrë një mandat për 4 vitet e ardhshme në drejtimin e 61 bashkive.”- tha Rama


Rama tha se ndihet i keqardhur që PD dhe LSI nuk do të marrin pjesë në zgjedhje për të përfaqësuar qytetarët që u besojnë dhe se i kanë hyrë një rrugë pa krye.

“A jam i mërzitur që s’do ta kem përballë? Duhen gjëra shumë më të mëdha që unë të mërzitem. Unë jam sigurisht i keqardhur, patjetër që opozita e Partisë Demokratike dhe e simotrës së saj LSI ka vendosur të shkojë në një rrugë pa krye. Unë uroj që të jetë një rrugë me kthim për ta, por nuk kam ndërmend të bëj asnjë përpjekje që ata të kthehen nga ajo rrugë. Sepse në fund të ditës, ajo që është më e rëndësishmja është që sistemi të garantojë pjesëmarrjen e gjithsecilit. Por në një sistem demokratik, askush nuk është i detyruar të marri pjesë me zor në një proces zgjedhor. Dhe në momentin kur nuk ndjen detyrim ndaj atyre që përfaqëson ka marrë fund. S’ka asgjë që e detyron palën tjetër në këtë rast shumicën qeverisëse që të tërheqë mezon në procesin zgjedhor ata që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje. Është një situatë e pazakontë, por ka të gjithë potencialin e vet për të krijuar një situatë të re politike.”- tha Rama




Skip to toolbar