Në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, policia e shtetit ka liruar 4500 m2 plazh në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës dhe ka çuar 6 persona në procedim penal për zaptim në mënyrë të kundraligjshme.
Nga këto janë liruar 3500 m2 plazh në Shëngjin
dhe 1000m2 në Velipojë, ndërkohë që janë sekuestruar rreth 450 shezlongë dhe
250 çadra.
Procedohen penalisht 6 shtetas, nga të cilët 4 në Shëngjin dhe 2 në Velipojë.
Procedohet përsëri për “Shpërdorim detyre” shtetasi A. N., Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, për katër rastet e fundit të konstatuara në Shëngjin.
Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e
Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Task –
Forcën të ngritur nga Prefekti i Qarkut Lezhë , proceduan penalisht 4 persona
për veprat penale “Fshehja e të
ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, konkretisht:
M. Gj., L. P., F. N. dhe GJ. GJ., pasi këta
shtetas kishin zaptuar plazhin në Shëngjin, duke vendosur rreth 350 shezlongë dhe 150 çadra pa
kontratë përdorimi (qira) me Bashkinë Lezhë.
Në Velipojë, Policia e Shkodrës e mbështetur
nga FNSH, ka liruar një hapësirë publike rreth 1000 m2 të zaptuar në mënyrë të
kundërligjshme nga dy shtetas, pronarë të subjekteve që ushtronin veprimtari në
zonën e plazhit në fshatin Pulaj – Plazh.
Gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 100
çadra dhe 100 shezlongë, që shtetasit XH. B. e E. S., kishin vendosur në mënyrë
të kundërligjshme para lokaleve në administrim, duke zënë hapësirën publike dhe
duke mos paguar taksat për to.
Policia njofton se operacioni vijon në të gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin.