48 viktima nga tërmeti! Shiu vështirëson operacionin e kërkimit

AKTUALITET


Gjatë orëve të mbrëmjes të së enjtes nisën reshjet e shiut në Durrës, aty ku po vijon puna e forcave të kërkim-shpëtimit për nxjerrjen nga rrënojat e të paktën dy trupave të tjerë, të dyshuar se kanë humbur jetën nga tërmeti. Shiu i ka vështirësuar operacionet, megjithatë, ato vijojnë pandërprerë.

Rreth orës 17:22 të pasdites të së enjtes, forcat e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat e vilës së familjes Lala në Durrës, trupat e pajetë të katër personave. Ato i përkasin shtetases Marjeta Lala dhe tre fëmijëve të saj, djalit të madh Emilio si dhe dy binjakëve të saj Dionis dhe Dionisa. Tashmë bilanci zyrtar i viktimave të tërmetit shkon në 48 të vdekur, duke e rënduar bilancin dhe më shumë. Ndërkohë operacioni i kërkim-shpëtimit vijon edhe për gjetjen e trupit të fundit që ndodhet nën rrënoja.

Më herët, pasditen e të enjtes një tjetër trup i pajetë u nxorr nga rrënojat e vilës së familjes Lala në Durrës, por identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur. Njëri nga qentë nuhatës ka bërë të mundur lokalizimin e trupit të pajetë ndërsa më pas forcat e kërkim-shpëtimit kanë bërë të mundur të nxjerrin trupin e pajetë.

Ende nuk dihet se i kujt nga personat e pagjetur është trupi i nxjerrë pasditen e të enjtes. Ndërkohë, deri më tani janë nxjerr 8 persona të vdekur nga rrënojat e vilës së familjes Lala, që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.

Me trupat e nxjerrë deri më tani shkon në 48 numri i viktimave të tërmetit që humbën jetën në Thumanë dhe Durrës. Ndërkohë, personat e shpëtuar janë 45, ndërsa ata që mbetën të plagosur janë mbi 790. Kërkimet janë ndërprerë në Thumanë, pasi Ministria e Mbrojtjes tha se nuk raportohet më për persona të zhdukur. Ndërkohë që vijojnë në Durrës, pasi ka ende trupa nën rrënoja.



Skip to toolbar