Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Alma Brati.
Fillimisht Brati e kaloi vettingun por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik për shkak të 5 denoncimeve të marra nga publiku.
Gjyqtarja iu nënshtrua për së dyti procesit të vettingut dhe vendimi përfundimtar është shkarkimi nga detyra.
Alma Brati ishte kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Gjyqtarja Alma Brati e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë arriti të kalojë procesin e rivlerësimit kalimtar, të njohur si veting, por vendimi i arsyetuar i Komisionit, i publikuar së fundi në faqen zyrtare të KPK, vërejti pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe të ardhurave të saj si dhe probleme të karakterit formal në shqyrtimin e aftësive të saj profesionale.
Komisioneri Publik vlerëson se vendimi i parë i KPK “përmban mangësi në hetimin dhe kontrollin e kriterit të pasurisë. Arsyetimi dhe përfundimet e Komisionit, në vështrim të provave të administruara, nuk të krijon bindjen se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, referuar kërkesave të nenit D të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016”.