Policia e Durrësit ka arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, si dhe dy bashkëpunëtor të tij, të cilët me anë të kanosjes, i kanë vënë gjobë një biznesmeni në Durrës, duke i kërkuar një shumë valute prej 50 mijë eurosh. Kanë qenë Forcat e Posaçme Operacionale të Policisisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, kanë arrestuar tre personat.
Ata janë shtetasit me inicialet, L.Z., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, thekson Policia e Shtetit. Shtetasi E.Sh., banues në Krujë dhe shtetasi K.E., banues në Xhafzotaj Durrës. Të tre këta shteas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N. L., banues në Durrës.
Gjatë operacionit, në momentin e ndërhyrjes, Policia sekuestroi shumën 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t’u paguar nga shtetasi N. L. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë “, në bashkëpunim.
