900 euro nata, Mazniku dëshmon në Prokurori: Është fake news

AKTUALITET


Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku është thirrur nga prokuroria të dëshmojë në lidhje me akuzat e PD-së për pagesën prej 900 euro nata të hotelit në Barcelonë.

Për rreth 1 orë Mazniku dha dëshminë e tij në Prokurori dhe në një prononcim për mediat u shpreh se “e vërteta do të triumfojë mbi fake news”.


“Duhet t’i japim drejtësisë informacion të saktë. Do i jap informacion prokurorisë për baltëhedhësit dhe fake news-et. Më vjen mirë që erdha në prokurori të them të vërtetën, pasi e vërteta do të dalë nga prokuroria, unë nuk dua të komentoj”, deklaroi Mazniku.

Prokuroria ka nisur hetimet pas denoncimeve nga Partia Demokratike se “pronari dhe administratori i Fusha shpk ka paguar hotelin 908 euro nata (në Barcelonë) për nënkryetarin Mazniku.”

“Nënkryetari i bashkisë Arbian Mazniku është akomoduar për të pushuar në një dhomë për të cilën është paguar 908 euro nata. Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy netë në hotel AlmaBarcelona ka shpenzuar 1816 euro. Por ajo që përbën skandal përveç çmimit që ia kalon edhe abuzimit të ministrave të Ramës, është fakti se pagesa është bërë nga presidenti i kompanisë Fusha shpk, Shkëlqim Fusha nëpërmjet kartës së kreditit. Pra, përfituesi më i madhe i parave publike nëpërmjet bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Edi Ramës paguan dhomat luksoze të hotelit për zyrtarët e bashkisë”, ka denoncuar më herët Partia Demokratike.

Këto deklarata janë cilësuar fake news nga Mazniku i cili nuk ka dhënë detaje të mëtejshme duke lënë drejtësinë të flasë./realstory.al




Skip to toolbar