“Zero faj”, jo dorëheqje. Mbrojtje “burrash”

AKTUALITET


Ndërsa Komisioni i Venecias në raportin paraprak konstatonte se presidenti Meta shkeli Kushtetutën përmes dekretit për anulimin e zgjedhjeve, ndryshe mendon presidenti Meta, i cili deri dje i besonte verbalisht vendimit të Venecias dhe ishte gati të jepte dorëheqjen pa pritur ende vendimin e parlamentit. Por Meta ka ndryshuar qëndrim. Përmes zëdhënësit, presidenti thotë se në vendimin e tij ka zero shkelje të Kushtetutës. Madje për ta mbështetur këtë, presidenca po harton një raport të detajuar ligjor i cili do të bëhet publik brenda javës.

“Brenda javës institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publik për opinionin vendas dhe ndërkombëtar Raportin e tij për Draftin e Opinionit të Komisionit të Venecias, gjithmonë në vazhdim të transparencës dhe rëndësisë së çështjes në fjalë, që meriton vetëm shterim kushtetues, ligjor, profesional dhe faktik, larg çdo ndikimi politik dhe të dyshimtë.


Zero shkelje të Kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e Kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e Konventës Europiane të të drejtave të Njeriut! Mbrojtje e Shkëlqyer e vendimit të Gjykatës së Strasburgut për të drejtën e zgjedhjes! Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka Shqipëria nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE!”, shkruan Tedi Blushi në emër të Metës.

Siç duket pasi e cilësoi “trakt të rilindjes” dhe pasi bëri ironi me gazetarët duke e cilësuar veten si “Luani i Venecias”, duket se presidenti tani e ka marrë seriozisht dhe po bën gati “mbrojtjen” ligjore para ekspertëve të Venecias. Ai thotë se mbrojtja e tij do të jetë e mbështetur në fakte dhe larg çdo ndikimi të dyshimtë politik.

Ajo që duket qartë në këtë qëndrim është se Meta nuk do të japë dorëheqjen ashtu sikurse premtoi pak ditë më herët në intervistë me Çim Pekën. Në atë intervistë Meta tha me zë dhe me figurë se do të jepte dorëheqjen në rast se Venecia thotë se ai ka shkelur Kushtetutën. Por duket se Meta nuk ka ndërmend të heqë dorë nga presidenca. Brenda javës do të paraqesë “mbrojtjen” e tij ndaj gjetjeve të Venecias./realstory.al




Skip to toolbar