Policia e Tiranës ka arrestuar një nga agresorët e babë e bir që u dhunuan gjatë protestës së opozitës më 2 qershor, për të cilët Berisha deklaroi se ishin goditur me qytat e pistoletave nga punonjësit e policisë. Megjithatë, pas publikimit të videos nga realstory.al, rezultoi se babë e bir, Ymer dhe Erjon Çela ishin dhunuar nga protestuesit.
Pas publikimit të videos, policia e Tiranës nisi hetimet për këtë rast, duke identifikuar autorët e ngjarjes.
Policia e Tiranës deklaroi zyrtarisht sot se në vijim të këqyrjes së pamjeve filmime si dhe informacioneve të marra në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit Zamir Sijani, 43 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj Durrës. Nga verifikimet rezulton se i arrestuari, i cili ishte pjesëmarrës në protestën e opozitës, ka qenë i dënuar më parë trafikim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
“Ndalimi i tij u bë, pasi më datë 02.06.2019, rreth orës 20:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit“ dhe në rrugën “George W Bush”, ka prishur qetësinë publike në kohën që subjekti politik Partia Demokratike dhe aleatët zhvillonin protestën ka goditur me mjete të forta shtetasit Yemer Çela dhe Erjon Çela, duke iu shkaktuar dëmtime të rënda në pjesën e kokës”, deklaroi zyrtarisht policia e Tiranës.