Vizita në Londër, Trump mbron May. Nuk pranon të takojë “komunistin”Corbyn

BOTA


Presidenti i SHBA është takuar sot me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, ku gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ndryshe nga hera tjetër e vizitës së kreut të Shtëpisë së Bardhë në Londër, ai ka marrë në mbrojtje kryeministren në ikje, ndërkohë që ka anuluar takimin me kreun e Laburistëve, Jeremy Corbin.

Gjatë konferencës së tyre të përbashkët për shtyp në Londër, Trump foli me lëvdata për Theresa May, veçanërisht në lidhje me programin e ndjekur prej saj për Brexit. CNN raporton se ishte një ndryshim i dukshëm që në tonalitet, krahasuar me herën e fundit që Presidenti i SHBA ishte në Britani të Madhe, kur nuk kishte asgjë tjetër veçse kritika për mënyrën se si po shkonin negociatat.

Këtë herë, në kohën kur May është gati të japë dorëheqjen si kryeministre, Trump vlerësoi përpjekjet e saj për të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian, duke thënë se ajo kishte bërë gati një marrëveshje Brexit për pasardhësin e saj. “Mendoj se do të ndodhë dhe besoj se Kryeministrja e solli atë në një pikë shumë të mirë, ku diçka do të ndodhë në të ardhmen, jo shumë të largët. Mendoj se ajo ka bërë një punë shumë të mirë”, tha Trump.

Kryeministrja në ikje tha si me shaka se herën e fundit, Trump i kishte sugjeruar që të ngrinte padi ndaj BE, por May tha se zgjodhi të negocionte. “Ndoshta, unë do të kisha paditur dhe zgjidhur, por kurrë nuk i dihet”, u përgjigj Trump. Në ato momente, Trump, i cili e konsideron një mjeshtër të negociatave, komentoi për May se: “Ndoshta, ajo është një negociatore më i mirë se unë”.

Gjithsesi, presidenti amerikan sugjeroi që historia ta gjykojë Mayn me mirësi për çështjen e Brexit.

Trump gjithashtu përsëriti pretendimin e tij se ai parashikoi që Britania do të votonte për Brexit një ditë para se të ndodhte në të vërtetë. Por sipas CNN, në të vërtetë, Trump foli për Brexit në fushën e tij të golfit një ditë pas votimit.

Pas takimit me May, Donald Trump deklaroi se ka anuluar takimin me udhëheqësin e Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, Jeremy Corbyn, duke e përshkruar atë si një “forcë negative”.

Më herë, Corbyn refuzoi të marrë pjesë në banketin shtetëror për Trump dhe ka qenë një kritik i vjetër i Presidentit. Duke komentuar sulmin e Trump për kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, Corbyn tha: “Jam shumë i zhgënjyer. Unë jam krenar që qyteti ynë ka një kryebashkiak mysliman”.



Skip to toolbar