Hysaj: Jemi gati për Islandën, të ardhmen e vendos pas kombëtares

KOMBËTARE


Ndaj Islandës, Elseid Hysaj do të jetë kapiten i ekipit tonë kombëtar. Mbrojtësi ka shoqëruar trajnerin Edy Reja në konferencë për shtyp këtë të premte, një ditë para ndeshjes zyrtare. Hysaj është shprehur se skuadra është gati, dhe synim është fitorja. “Besoj se jemi gati pasi kishim kohë dhe kemi bërë mirë në stërvitje. Jemi gati si skuadër për të fituar këtë ndeshje”, u shpreh mbrojtësi.

25-vjeçari foli dhe për skemën që do të përdoret ndaj Islandës, duke u shprehur se ndihet mirë me 3 mbrojtës në qendër, pasi i jep më shumë mundësi në lojën në krah. “Besoj se me këtë skemë jam mirë në krah pasi krahun e njoh më mirë se qendrën megjithatë unë do të luaj aty ku trajneri më vendos”, tha Hysaj.

Hysaj ka qenë i rezervuar i kur është pyetur për të ardhmen, duke u shprehur se për të do të mendojë pas ndeshjeve me Kombëtaren. “Kam edhe 2 vite me Napolin dhe tani për tani po mendoj për Kombëtaren dhe pas kësaj ndeshjeje të Kombëtares do të mendoj për pushimet”.

Në fund, ai ka folur dhe për kundërshtarin e të shtunës, duke u shprehur se nuk duhet nënvlerësuar.

“Islandën e njohim dhe ka bërë shumë mirë e ka lojtarë të fortë që luajnë në skuadra të mira. Nuk duhet nënvlerësuar pasi jemi mundur dhe duhet kujdes në disa lëvizje. Mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka të mirë në fushë. Nuk është sikur në Europian që tregoi se ka potencial por ka edhe fazën e keqe. Me ardhjen e Rejas na ka ndryshuar fryma dhe të besojmë se jemi lojtarë më të fortë se ata që ishim”, tha Hysaj.



Skip to toolbar