Sergio Agüero i thotë lamtumirë futbollit të luajtur. Sulmuesi argjentinas e bëri të ditur këtë gjatë një konference për shtyp në Camp Nou, ku nuk munguan lotët:
“Kjo konferencë është për t’ju informuar se kam vendosur të largohem nga futbolli profesionist. Janë kohë shumë të vështira, por jam gjithashtu i lumtur për vendimin që kam marrë. Shëndeti im është i pari dhe pas problemit që pata një muaj e gjysmë më parë, mjekët më thanë se gjëja më e mirë ishte të mos luaja më”.
33-vjeçari nga Buenos Aires ka shënuar 385 gola në karrierë me fanellat e klubeve (Independiente, Atletico Madrid, Manchester City dhe Barcelona) dhe 42 të tjerë teksa ka veshur uniformën e Argjentinës.
Minutat e fundit të luajtura nga Agüero para ndalimit të detyruar ishin ato kundër Alavés më 30 tetorin e kaluar, ndërsa goli i tij i fundit daton në El Clasico më 24 tetor, në “Camp Nou”, kundër Real Madridit.
“E mora këtë vendim dhjetë ditë më parë. Bëra të pamundurën për të parë nëse kishte ndonjë shpresë, por nuk kishte shumë. Jam shumë krenar për karrierën time, shumë i lumtur. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj futboll, që kur kur isha 5 vjeç.
Kur isha duke gjuajtur topin ëndrra ime ishte të luaja në Kategorinë e Parë të Argjentinës, nuk e mendoja kurrë se do të vija në Evropë. Falë Independientes dhe Atléticos që vuri bast për mua kur isha 18 vjeç, gjithashtu edhe City, i falënderoj që më trajtuan shumë mirë.
Faleminderit gjithashtu Barçës, Joan Laportës që më kontaktoi. E dija që do të vija në një nga klubet më të mira në botë dhe ata më trajtuan shumë mirë. Dhe së fundi falë kombëtares së Argjentinës, që është gjëja që dua më shumë” – mbylli fjalët e tij Aguero.