Masat kufizuese me lockdown, problemet me rrjetet e furnizimit dhe rezervimi i klientëve: të gjitha këto kanë çuar në rënien e ndjeshme të koniunkturës, sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane.
Pasojat e pandemisë së koronavirusit në dy vitet e fundit i kanë kushtuar 350 miliardë euro ekonomisë gjermane në rendimentin e saj, konstaton Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW). Kjo shumë në pjesën më të madhe ka të bëjë me rënien e konsumit, llogarit IW në ditën e shpërthimit të pandemisë në Gjermani. Kësaj i shtohen edhe pakësimi i investimeve të ndërmarrjeve. Në tre muajt e parë të vitit 2021 janë krijuar humbje të tjera në vlerën 50 miliardë euro, deklaron instituti. “Ripërtëritja ekonomike do të zgjasë me vite”, parashikojnë studiuesit e ekonomisë.
Në fillim të pandemisë masat kufizuese deri në lockdown shkaktuan probleme në proceset e prodhimit dhe vështirësuan furnizimet brenda dhe jashtë vendit, shpjegojnë ekspertët e këtij instituti. Humbje janë shkaktuar edhe nga kufizimi i mundësive për konsum dhe rezervimi i klientëve. Bizneset jashtë vendit pësuan rënie. Në tremujorin e dytë të vitit 2020 produkti bruto në vend ra me 11 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Gjatë ecurisë së pandemisë rënia e numrit të infeksioneve përkohësisht i rriste shpresat për një ripërtëritje të qendrueshme ekonomike – por me valët e reja të infeksioneve këto shpresa shuheshin. Në vitin e dytë të koronavirusit, sipas studimit, problemet kryesore u krijuan me rrjetet e furnizimit: mungesa e pjesëve të këmbimit i krijuan vështirësi kryesisht industrisë së prodhimit të automjeteve. Shpenzimet e shtetit në pandemi dhe eksportet të paktën pjesërisht funksionuan gjatë vitit të dytë të pandemisë, i thanë DW-së nga Instituti i Ekonomisë Gjermane. Por parashikohet që edhe gjatë muajve të ardhshëm të ketë humbje.
“Varianti i ri Omikron i koronavirusit megjithatë jep shkas edhe për shpresë”, shpjegon ekonomisti i IW Michael Grömling: “Nëse sivjet ne hyjmë në fazë endemike, sërish mund të ketë hov në ekonomi. “Vitet e ardhshme është i nevojshëm një hop i fuqishëm ekonomik, për të rikuperuar humbjet.