Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në panelin mbi “Zgjerimin si Mjeti i Ardhshëm Gjeopolitik i Evropës” në
Forumin Strategjik të Bledit, së bashku me Komisioneren Marta Kos.
Hoxha theksoi se teksa zgjerimi është dhe duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, besueshmëria mbetet thelbësore, po aq sa edhe ruajtja e ritmit të negociatave.
“Ne kemi bërë dhe po bëjmë zgjedhje të vështira, kemi ndërmarrë reforma të gjera dhe mbetemi plotësisht të angazhuar në fuqizimin e institucioneve demokratike”, tha Hoxha.
Shqipëria, shtoi Ministri, nuk e sheh veten thjesht si një përfituese të ardhshme të projektit evropian, por si kontribuese aktive.
“Anëtarësimi në BE është njëkohësisht një aspiratë dhe një ofertë. Ne kërkojmë përfitimet e përkatësisë, por jemi po aq të gatshëm të kontribuojmë në forcën, konkurrueshmërinë dhe sigurinë e Unionit të cilit do t’i bashkohemi”, nënvizoi Hoxha.
Historia, tha Ministri i Jashtëm, ka treguar se çdo raund zgjerimi e ka bërë Bashkimin Evropian më të fortë, më të begatë dhe më me ndikim.
Zgjerimi i ardhshëm, sipas tij, nuk do të jetë ndryshe.
“Përkundrazi, në mjedisin gjeopolitik të sotëm, është një investim strategjik në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”, përfundoi Hoxha.
