Këtë të martë, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, është zbardhur e plotë Draft Rezoluta e Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, pasi ky i fundit vendosi të shfuqizonte dekretin që përcaktonte mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.
Në këtë dokument, Partia Socialiste e quan të pavlefshëm dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa shton, se kreu i shtetit me këtë akt ka ndërhyrë në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe administruar sipas kushteve dhe afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor.
“Akti i Presidentit, në mënyrë të kundraligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, sic është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 Qershor 2019”, thuhet ndër të tjera në Draft-Rezolutën e PS.
Draft Rezoluta e plotë:
MBI AKTIN E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS PËR SHFUQIZIMIN E DEKRETIT Nr. 10928, DATË05.11.2018 “PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE”
Kuvendi i Shqipërisë:
- Duke i kushtuar rëndësinë maksimale momentit historik në të cilin ndodhet vendi për procesin integrues me Bashkimin Europian, në pritje të vendimit të Këshillit Europian pas rekomandimit pa kushte të shprehur në progres raportin e Komisionit Europian të datës 29 Maj 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE;
- Duke ripërsëritur vendosmërinë dhe vullnetin e plotë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të pranuar gjerësisht nga aktorët politik në vend, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR pasqyruar në raportet e monitorimit për zgjedhjet e mëparëshme si dhe në harmoni të plotë me standartet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të barabarta;
- Duke mbështetur fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi si kriter kyç për të ardhmen europiane të vendit si dhe për sundimin e së drejtës dhe forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri, reformë që vlerësohet me nota shumë pozitive në progres raportin e Komisionit Europian dhe ku Shqipëria veçohet si shembull për t’u ndjekur nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor;
- Duke vlerësuar ngritjen e organeve të reja tëqeverisjes së sistemit të drejtësisë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, hapat e ndërmarra për plotësimin e shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, për ngritjen e prokurorisë dhe gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe duke inkurajuar intensifikimin e zbatimit të reformës në drejtësi në këtë drejtim;
- Duke vlerësuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar lirisht dhe në formë paqësore, dënon çdo formë dhune kundër jetës, pronës, rendit institucional dhe organeve të shtetit, të cilat në të njëjtën kohëndikojnë negativisht në imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian;
- Duke vlerësuar dialogun politik dhe institucional midis aktorëve politik, parlamentar dhe jo parlamentar, si rrugën e vetme që njeh demokracia funksionale për bashkëjetesën politike dhe shoqërore, ashtu siç dhe rekomandon Komisioni Europian në raportin e Majit 2019 se partitë e opozitës jashtë parlamentare duhet të ripërfshihen në mënyrë konstruktive në institucione demokratike e të ndalin veprime që bien ndesh me parimet demokratike;
- Duke mbajtur përgjegjësinë që i ngarkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 1 të saj ku shprehimisht thuhet se Shqipëria është Republikë Parlamentare;
- Duke respektuar parashikimin kushtetues se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike;
- Duke mbajtur në konsideratë rolin e Presidentit në një republikë parlamentaresi një organ neutral, i paanshëm dhe i pavarur, si një organ që qëndron në të gjitha pushtetet dhe që nuk bën pjesë në to, si një institucion që nuk mund të jetë aktiv në proceset vendimmarrëse politike me qëllim shmagjen e qëndrimeve politiko partiake në ushtrimin e funksioneve të tij shtetërore;
Kuvendi i Shqipërisë duke u njohur me aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe duke konsideruar se ky është një akt i paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor konstaton:
- Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anulluar zgjedhjet;
- Akti i Presidentit, në mënyrë të kundraligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, sic është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 Qershor 2019;
- Ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejtë në një proces që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në Kodin Zgjedhor;
- Është detyrim i administratës zgjedhore, jo vetëm të garantojë ushtrimin e së drejtës së zgjedhjes sipas standarteve kushtetuese dhe ligjore nga shtetasit shqiptarë, por edhe ta mbrojë ushtrimin e kësaj të drejte nga çdo ndërhyrje e paligjshme e kryer apo që tentohet të kryhet, nga çdo person fizik apo juridik, duke mos lejuar cënimin e mbarëvajtjes së këtij procesi;
- Bazuar nëparimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, sipas të cilëve asnjë organ nuk ka detyrimin dhe nuk mban përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo cfarëdo vendimi absolutisht të pavlefshëm dhe që bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin;
- Ndërhyrjen e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës;
- Mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar parashikuar nga neni 90, paragrafi 2 i Kushtetutës;
Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit sitë vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019 të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.