Kontrabandë nga Rusia, bllokohet anija me 22,500 tonë naftë

AKTUALITET


Autoritetet shqiptare kanë bllokuar 22500 tonë naftë kontrabandë që vinte nga Rusia dhe po përpiqej të futej në vendin tonë.

Operacioni u zhvillua nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Policinë Kufitare të Portit Durrës, Drejtorinë e Antikontrabandës, autoritetet doganore të portit, Rojën Bregdetare dhe Kapitenerinë e Portit Durrës,


Policia tha se, përmes inteligjencës informative, kishte siguruar informacione për një anije me flamur liberian që do të kontrabandonte një sasi shumë të madhe nafte.

“Bazuar në këto informacione është organizuar dhe është në vijim operacioni policor i koduar “Embargo”, në kuadër të të cilit është bllokuar një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, që do të kontrabandohej në Shqipëri. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo ngarkesë nafte është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia. Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë. Në vijim të veprimeve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 shtetas, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, tha policia.




Skip to toolbar