Forcat detare izraelite ndaluan dhe sekuestruan të hënën një jaht bamirësie që po përpiqej të thyente bllokadën detare të vendosur ndaj Rripit të Gazës.
Jahti britanik me emrin Madleen, i operuar nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, kishte në bord 12 aktivistë, përfshirë aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg dhe eurodeputeten franceze Rima Hassan.
Sipas Koalicioni të Flotiljes së Lirisë , anija u ndalua gjatë natës, rreth orës 02:00 të mëngjesit, në ujërat ndërkombëtare, përpara se të mund të arrinte në brigjet e Gazës. Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi se jahti është marrë nën kontroll dhe ishte derguar drejt portit izraelit të Ashdodit.
“Jahti i ‘selfieve’ i ‘celebrity-ve’ po shkon i sigurt drejt brigjeve të Izraelit. Pasagjerët pritet të kthehen në vendet e tyre,” shkroi ministria në platformën X Më vonë autoritetet Izraelite thanë se të gjithë ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe u ishte ofruar ushqim dhe ujë.
Në jaht ndodhej një sasi simbolike ndihmash humanitare, përfshirë oriz dhe formulë për foshnja, të cilat Izraeli thotë se do t’i dërgojë në Gaza nëpërmjet atyre qe Tel Avivi I quan “kanale të vërteta humanitare.”
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, kishte urdhëruar më herët ushtrinë të mos e lejonte jahtin të mbërrinte në Gaza, duke e quajtur këtë mision një përpjekje propagandistike pro-Hamas.
Sipas burimeve izraelite, aktivistëve u janë treguar video të masakrës së 7 tetorit 2023, kur militantët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë mbi 1,200 njerëz dhe rrëmbyer 251 pengje, sipas statistikave izraelite.
Hamas e ka cilësuar ndalimin e jahtit si “terrorizëm shtetëror” dhe ka përshëndetur aktivistët që ndodheshin në bord.
Bllokada detare ndaj Gazës është vendosur që prej vitit 2007, kur Hamasi mori kontrollin e enklavës bregdetare. Izraeli dhe vendet perëndimore e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.
Nga ana tjetër, ofensiva izraelite që pas sulmit të 7 tetorit ka shkaktuar mbi 54,000 viktima palestineze, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, dhe ka detyruar mbi 2 milionë njerëz të shpërngulen, duke i ekspozuar ndaj rrezikut të urisë, sipas OKB-së.
Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, Francesca Albanese, e mbështeti publikisht misionin e Koalicioni të Flotiljes së Lirisë së dhe bëri thirrje për më shumë anije ndihmash:
“Udhëtimi i ‘Madleen’ mund të ketë përfunduar, por misioni nuk ka mbaruar. Çdo port i Mesdheut duhet të dërgojë anije me ndihma dhe solidaritet për Gazën,” shkroi ajo në X.