Vuçiç paralajmëroi vizitë në Prishtinë, Sveçla: Nëse vjen pa leje, do të arrestohet

KOSOVA


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas paralajmërimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiç se nëse i jepet “leja demokratike” do të shkojë në Graçanicë dhe pastaj edhe në Prishtinë.

Ai ka paralajmëruar se nëse Vuçiç nuk ka leje për vizitë dhe hyn në Kosovë do të arrestohet.

“Për me leje, te Kryeministri, për pa leje te unë. Është çështje vendimmarrëse e Kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiçit. E, për pa leje, pastaj dihet cilat institucione merren me të… kaq”, është shprehur ministri Sveçla në ATV.

I pyetur nëse presidenti serb do të arrestohet nëse hyn në Kosovë pa leje, ai theksoi:

“Pa asnjë dyshim. Si po mendoni ju që dikush, shtetas i huaj mund të futet në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës. Cilat janë pasojat? Pasoja është që thjesht nuk ke shtet nëse kreu i shtetit tjetër futet pa leje në territorin tënd”.

Ditë më parë Vuçiç tha se sapo t’i jepet “leja demokratike” do të shkojë në Graçanicë dhe pastaj edhe në Prishtinë, duke theksuar se nuk do t’i kërkojë leje as kryeministrit Albin Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se në momentin që Vuçiç do ta dërgojë kërkesën, do ta analizojë me seriozitetin dhe sinqeritetin e tij më të lartë.



Skip to toolbar