“Protesta u përdor nga përfitues dhe figura me axhenda të huaja”, Rama nxjerr foton: Gruaja krah Ahmedinegjadit në protestë

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestën në Tiranë dhe ndaj personave që, sipas tij po përfitojnë nga protestat e organizuara në mbrojtje të mjedisit, duke i akuzuar se po i shfrytëzojnë ato për interesa politike dhe ideologjike.

Përmes një postimi në Facebook, Rama bëri dallimin mes protestuesve dhe atyre që ai i cilësoi si “përfitues”, duke theksuar se kritikat e tij nuk drejtohen ndaj qytetarëve që protestojnë, por ndaj individëve që, sipas tij, manipulojnë kauzat publike.

“Mos u merr me protestuesit… Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër”, shkruan Rama, duke i përshkruar këta persona si “patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur dhe besimtarë të shtirur”, të cilët, sipas tij, janë nxitur nga interesa të jashtme apo nga kundërshtarë politikë brenda vendit.

Kreu i qeverisë publikoi gjithashtu fotografi të një personi që, sipas tij, ka marrë pjesë në protestë dhe që më herët ka shfaqur qëndrime radikale.

Në postimin e tij, kryeministri përmend edhe ish-presidentin e Iran, Mahmoud Ahmadinejad, duke theksuar se gruaja e paraqitur në foton e publikuar nga ai në Facebook është shfaqur në të njëjtin aktivitet me të.

Statusi i kryeministrit Edi Rama në Facebook:
Mos u merr me protestuesit…

Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër

Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani.

Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës.



Skip to toolbar