Po kthehej nga puna, vritet me armë zjarri në rrugë 35-vjeçarja shqiptare në Itali

AKTUALITET


Një 35-vjeçare shqiptare është qëlluar për vdekje në rrugë në Castelfiorentino në Firence të Italisë. Klodiana Vefa me origjinë shqiptare dhe nënë e dy fëmijëve, u vra disa dhjetëra metra larg shtëpisë ku banonte, me sa duket në kulmin e një debati.

Mediat italiane bëjnë të ditur se policia është në kërkim të burrit të saj. Prej disa kohësh ata nuk jetonin më bashkë, por nuk ishin ndarë ligjërisht.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të së enjtes në mbrëmje. Disa persona dëgjuan zhurmën e disa të shtënave me armë zjarri në rrugë dhe thirrën policinë. Kërkimet për burrin e gruas shtrihen në të gjithë Val d’Elsa, midis Poggibonsi, në provincën e Sienës dhe Empoli, në provincën e Firences.

Sipas pistave që po heton policia, shkak do të kenë qenë mosmarrëveshjet e çiftit, ndoshta për shkak të xhelozisë së burrit. Klodiana Vefa punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Castelfiorentino, ku jetojnë shumë shqiptarë.

Karabinierët gjetën dy gëzhoja në tokë që ishin qëlluar nga një armë, por arma nuk u gjet. Besohet se ajo do të jetë marrë nga vrasësi, i cili iku me makinë. Kamerat private dhe publike mund të kenë kapur rrugën e arratisjes dhe dëshmitarët në rrugë mund të japin informacione të rëndësishme.



Skip to toolbar