Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i ka bërë thirrje Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar që të angazhohen për të ndaluar sulmet e Izraelit ndaj vendit të tij.
Ai theksoi se reagimi evropian ndaj goditjeve izraelite ka qenë “i pamjaftueshëm” dhe “i paqëndrueshëm” në aspektin e politikës.
Sipas Baghaeit, vendet evropiane që kanë nënshkruar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, Franca, Gjermania dhe Britania “duhej t’i kishin dënuar fuqishëm” sulmet izraelite, veçanërisht ato ndaj “infrastrukturës bërthamore paqësore të Iranit”.
Tensionet mes Teheranit dhe Tel Avivit janë përshkallëzuar ndjeshëm që nga data 13 qershor, kur Izraeli ndërmori një sulm të befasishëm me raketa brenda territorit iranian. Si përgjigje, Irani nisi të njëjtën natë një seri bombardimesh të rënda me raketa, të cilat zgjatën për tre ditë radhazi. Objektiv i këtyre sulmeve ishin baza ushtarake dhe infrastrukturë strategjike brenda territorit izraelit.
Ky shkëmbim i ashpër zjarri ka ngritur alarmin për një konflikt më të gjerë rajonal, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për përmbajtje dhe zgjidhje diplomatike të krizës.