Mbi 1900 të vrarë në 4 ditë luftime Izrael-Gaza, edhe Hezbollahu hedh raketa nga Libani

BOTA


Ushtria izraelite ka blinduar kufirin me Gazën, në pritje të urdhrit për të nisur sulmin masiv. Izraeli u ka bërë thirrje civilëve në Gaza, të ikin në Egjipt. Bilanci i viktimave nga të dyja palët ka arritur në 1900.

Hamasi riktheu breshërinë e raketave ndaj jugut të Izraelit, teksa ushtria izraelite ka pozicionuar ushtrinë përgjatë kufirit me Rripin e Gazës në pritje të urdhrit për të sulmuar nga toka.

Qindra raketa të Hamasit ranë mbi qytetin e Ashkelon kur skadoi një ultimatum i vendosur pak orë më herët ndaj popullsisë civile izraelite për t’u larguar.

Trupat e pajetë të izraelitëve dhe militantëve të Hamasit shtriheshin përtokë në Kfar Aza mes shtëpive e makinave të djegura, ndërsa ushtarët izraelitë kontrolluan shtëpi më shtëpi për të numëruar viktimat.

Mediat lokale flasin për të paktën 40 foshnja të masakruara në këtë zonë, ndërsa disa prej viktimave iu ishin prerë kokat.

Edhe në Gaza morgjet janë të tejmbushura me trupa viktimash. Shkatërrimi është i dukshëm kudo, ende pa nisur sulmi tokësor i Izraelit.

Civilët po marrin arratinë nga shtëpitë e tyre pas thirrjes së Izraelit që ata të ikin në Egjipt, edhe pse pikat kufitare me këtë vend jo gjithmonë i kanë gjetur të hapura. E gjithë zona, nga e hëna është nën rrethim dhe banorët nuk kanë as ujë, as ushqim, as elektricitet e as karburant.

Hamasi ka paralajmëruar se nuk do të negociojë për lirimin e 150 pengjeve, deri kur të mbarojë lufta.

Nën armë nga Izraeli si kundërpërgjigje për sulmin janë thirrur 300 mijë rezervistë.

Kjo do të jetë hera e parë që ushtria izraelite kthehet në Gaza pas 2 dekadash, që kur i dha fund pushtimit 38-vjeçar.



Skip to toolbar