SHBA dërgon ekspertë në Izrael për të asistuar në gjetjen e pengjeve të Hamasit

BOTA


Një ekip ekspertësh teknikë është dërguar nga SHBA në Izrael për të ndihmuar autoritetet hebreje në rikuperimin e personave që mbahen peng nga Hamasi pas sulmit të së shtunës.

SkyNews duke iu referuar burimeve zyrtare raporton se ekipi amerikan është vendosur në Izrael për të këshilluar dhe punuar me izraelitët për mënyrën se si do të lirojnë pengjet.

Hamasi besohet të ketë marrë më shumë se 100 pengje gjatë sulmit të befasishëm që kapi të papërgatitur ushtrinë dhe inteligjencën izraelite.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Joe Biden tha në një deklaratë për mediat se ai beson se mes disa prej atyre që u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza, ka të ngjarë të ketë edhe shtetas amerikanë.

“Unë e kam drejtuar ekipin tim që të punojë me homologët izraelitë në çdo aspekt të krizës së pengjeve, duke përfshirë ndarjen e inteligjencës dhe vendosjen e ekspertëve nga e gjithë qeveria e Shteteve të Bashkuara për t’u konsultuar dhe këshilluar me ta për mënyrën si do të rikuperohen pengjet”, tha Biden.

Përveç dhënies së ndihmës për shpëtimin e pengjeve, SHBA thuhet se po përpiqet të koordinojë me vendet e tjera një plan për të ofruar kalim të sigurt nga Gaza për civilët.

NBC raporton se civilët palestinezë dhe amerikanët në Gaza do të arratiseshin përmes një korridori jugor që të çon në Egjipt sipas planit që po shqyrtohet.

Ndërsa Izraeli po përgatitet për një inkursion të mundshëm tokësor në Gaza, civilët që nuk kanë lidhje me Hamasin janë në rrezik të mbeten të pastrehë ose të vriten në luftime, ndaj Biden i kërkoi kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të minimizojë viktimat civile në Rripin e Gazës.



Skip to toolbar