Ndërsa protestat studentore janë përhapur në të gjithë Francën, presidenti Emmanuel Macron thotë kërkesat dhe shqetësimet e nxënësve janë legjitime, por në të njëjtën kohë ato po shfrytëzohen nga forcat politike dhe po shndërrohen në dhunë. “Presidenti i ka kërkuar qeverisë të dalë me përgjigje konkrete ndaj trazirave të nxënësve të shkollave të mesme”- tha zëdhënësja e qeverisë.
Sindikatat që organizojnë tubimet pretendojnë se mbi 500 mijë persona kanë marrë pjesë në protesta, të cilat pritet të kulmojnë të shtunën. Protestat shoqërohen me marshime paqësore, por ka pasur edhe episode dhune në periferi të Parisit dhe në Lion, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës.
Ministria franceze e Drejtësisë tha se rreth 8 mijë persona janë arrestuar në 4 javë protesta, ku rreth 85% e tyre janë të mitur. Studentët, prindërit, sindikatat dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar policinë për dhunë ndaj protestuesve, pasi mes tyre ka pasur edhe të plagosur.
Kryeministri Sebastien Lecornu konfirmoi se rreth 250 studentë janë plagosur që nga nisja e protestave në fund të shtatorit, rreth 150 staf pedagogjik dhe mbi 900 oficerë policie. Sipas tij ato po përdoren nga parti të caktuara politike për arsye elektorale.
Jean-Luc Melenchon, kandidati për president i partisë së ekstremit të majtë Franca e Papërkulur iu bashkua një proteste në Paris. Partia e ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar e Marine Le Pen, e cila kryeson sondazhet e opinionit publik, ka shprehur mbështetje për policinë gjatë demonstratave dhe ka fajësuar studentët për dhunën e shfaqur në protesta.


