Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi se bllokimi i punimeve të kuvendit erdhi për pasojë të sjelljes arrogante të mazhorancës, e cila sipas tij nuk po lejon të respektohen as të drejtat kushtetuese të opozitës.
Bardhi u shpreh gazetarëve se nuk ka asnjë shpjegim se përse nuk po lejohet hetimi parlamentar që kërkohet nga opozita për koncesionet në shëndetësi, vendimmarrjet e ekzekutivit, apo ndërhyrjen në sistemin TIMS.
“Të shpjegojnë përse nuk lejojnë kontroll parlamentar për ndërhyrjen në TIMS. Pse nuk lejohet hetimi për 4 kontratat në shëndetësi. Ka zero shpjegim. Pse nuk lejohet komisioni hetimor për vendimmarrjet e ekzekutivit. Opozitës nuk i lejohet të propozojë anëtarët që dëshiron në komisionin e reformës zgjedhore. Jemi nxitur të mos lejojmë vijimin normal të seancës. Do të donim të përballnim idetë, por kur na mbyllin çdo rrugë institucionale, padyshim që kuvendi nuk mund të funksionojë normalisht. Kjo betejë është për të kthyer normalitetit dhe pluralizmin në parlament. E drejta e opozitës për komision parlamentar është e përfshirë në ligj. Këto janë arsyet përse nuk lejuam të nisi Kuvendi”, tha Bardhi.