Prej 4 dhjetorit në çdo sportel të Postës Shqiptare ka nisur shpërndarja e bonusit të fundvitit prej 5 mijë lekësh të reja.
Nga fondi në dispozicion për bonusin e këtij viti që kap vlerën e 3.5 miliardë lekëve do të përfitojnë 704 mijë qytetarë, nga të cilët 588 mijë trajtohen me pension pleqërie dhe social, rreth 66 mijë invaliditeti dhe 44 mijë me pension familjar.
Por pensionistët duket se nuk do të jenë të vetmit që do të përfitojnë në prag të festave, pasi qeveria ka në plan një paketë mbështetjeje për shtresat vulnerabël të shoqërisë.
Këtë e bëri të ditur Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, gjatë fjalës së tij në panelin për prioritetet zhvillimore në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste.
“Kemi indeksuar pensionet në një total prej 250 milionë euro vitet e fundit dhe sapo kemi dhënë bonusin e dytë të brenda këtij viti për pensionistët. Jemi në diskutim për një paketë tjetër mbështetjeje për shtresat vulnerabël brenda këtij viti, ashtu siç jemi të angazhuar në një diskutim të thelluar si mes nesh ashtu edhe me partnerët, Bankën Botërore dhe FMN për një reformë të pensioneve dhe të shtyllave të mbrojtjes sociale në tërësi sepse kemi detyrimin që këtë moment të mirë zhvillimi dhe rritjeje ekonomike ta përkthejmë edhe në mbështetje për këto shtresa në nevojë”, tha Mete.
Fondet e kësaj pakete për të cilën Mete foli në Kongres, pritet të alokohen dhe shpërndahen para festave të fundvitit. Gazetarja e A2CNN, Fjorela Beleshi ka mësuar nga burime pranë qeverisë se po punohet për të nxjerrë një akt normativ që e mundëson atë.
Ministri i Ekonomisë po ashtu vendosi theksin te rritja e pagave për vitin e ardhshëm, një reformë që do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 400 milionë euro.
“Siç e dini, së fundmi dolëm nga lista gri dhe kemi marrë vlerësime pozitive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga Banka Botërore dhe nga agjenci vlerësimi prestigjioze, si Standard and Poor’s, që jo vetëm ndikojnë në reputacionin dhe imazhin e vendit, por përmirësojnë klimën e biznesit dhe lehtësojnë edhe transaksionet financiare dhe bankare. Kemi një moment të mirë ekonomik që po përkthehet dhe synojmë të përkthehet edhe më shumë në punësim. Aktualisht, kemi një nga shkallët më të ulëta historike të papunësisë dhe po shohim rritje të punësimit.
Vitin tjetër do të avancojmë në mënyrë domethënëse me reformën e rritjes së pagave, duke arritur që prej mesit të vitit 2024, pra duke arritur para kohe, objektivin e një page mesatare 900 euro në sektorin publik. Kosto totale e kësaj reforme do të jetë afro 400 milionë euro dhe presim që kjo reformë domethënëse të jetë shtysë edhe për pagat e sektorit privat”, tha ndër të tjera Mete.