Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, zbulon sjelljen me dy standarde të PD-së, e cila sot është kapur fort pas përgjimeve për shit-berje votash, ndërsa 3 vite më parë braktisën në mënyrë të pakuptimtë seancën e Kuvendit.
Patozi tregon me video se çfarë ndodhi 3 vite më parë ku PD humbi zgjedhjet në Dibër.
Ai thotë se me një urdhër të çuditshëm të Lulzim Bashës, i gjithë Grupi parlamentar i PD-së braktisi seancën, ndërsa të vetmit që qëndruan ishte ai dhe Jozefina Topalli.
“Meqë sot temë kryesore e debatit politik janë përgjimet e publikuara nga BILD për zgjedhjet në Dibër, po publikoj fjalën time në parlament, menjëherë pas përfundimit të tyre.
Atë ditë, me një urdhër të çuditshëm dhe të pakuptueshëm të Lulzim Bashës, grupi parlamentar i PD braktisi seancën, ndërsa në sallë nga opozita qëndruam vetëm Jozefina Topalli dhe unë.
Ta kenë ditur që atëherë vallë, se do të vinte ky çast fatlum përgjimesh, që heshtën ditën kur duhet të shkundnin Kuvendin, por po flasin tani pas gati 3 vjetësh?”, shkruan Patozi, ndërsa poston videon e fjalimit të tij ku akuzon qeverinë për blerjen e votave në Dibër përmes parave.
Ai e cilëson këtë një fenomen të rrezikshëm, që tjetërson vullnetin e shqiptarëve për të zgjedhur.
“Në rast se ju dukem sot si trim i vetëm në luftë, e keni gabim, sepse lufta nuk fillon sot, luftën e kemi mbas një viti. Por kjo nuk duhet të ishte luftë, duhet të ishte garë, duhet të ishte proces, por ju në luftë i keni kthyer proceset elektorale në Shqipëri, që ditën kur erdhët në pushtet e deri më sot.
E kërkova fjalën për të folur për Dibrën sepse ky parlament nuk mund të mos e fshehë se është shumë frymëzues. Sot nuk është një ditë e përshtatshme për një demokrat që të flasë për zgjedhjet. Sepse ne i kemi humbur zgjedhjet dhe kjo është e vërtetë. Por mua kjo nuk më pengon fare që të flas. Unë do ta veçoj Dibrën si një shembull, si një vitrinë të problematikës së rëndë që ne kemi me zgjedhjet. Kjo maxhorancë e ka asgjësuar institucionin e zgjedhjeve në Shqipëri që kur erdhi në pushtet. Të gjitha testet e zgjedhjeve kanë dështuar që ditën kur erdhët ju në pushtet. Në Korçë vetëm pak muaj juaj i bletë votat me 20 mijë lekë. Pas dy vjetësh e bëtë këtë provë gjenerale në të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet lokale që i fituat dhe i vodhët, tani i vutë vulën me Dibrën para disa ditësh. Çfarë është ajo që ju keni sjellë në këto 3 vite. Keni një meritë, keni rritur çmimin e votës. Në Korçë u ble me 20 mijë lekë, vota në Dibër u ble me 70 deri në 100 euro”, është shprehur Patozi tre vite më parë në një sallë kuvendi ku demokratët nuk ishin.
Ai gjithashtu shtoi se edhe “PD ka përgjegjësinë e saj për këtë që ndodh”, ndërsa shprehu shqetësimin se ky fenomen do të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme. “Meraku im është se çfarë do të ndodhë pas 1 viti. Dhe unë sot kam shqetësimin se Shqipëria po rreshket gramatikisht në një gjendje të pashpresë falë një vullneti diabolik për të tjetërsuar votën”, është shprehur Patozi.