Skënderbeu nuk po kalon një sezon të mirë, teksa në ndeshjen e fundit në kampionat u mund përsëri nga Partizani. Skuadra korçare ka pasur shumë probleme, të cilat, të paktën jo zyrtarisht, lidhen me pritjen e gjatë të marrjes së vendimit nga CAS, për dënimin e dhënë ndaj klubit të Skënderbeut nga UEFA.
Kjo ka bërë që skuadra të shfaq shumë ulje-ngritje këtë sezon, aq sa në media janë krijuar disa skenarë me të ardhmen e klubit. Gjatë ditës së sotme, media të shkruar dhe ato online, kanë raportuar se klubi korçar dhe konrektisht, Presidenti Ardian Takaj, kanë përgatitur një listë me emrat e lojtarëve që do të largohen në fund të sezonit.
Sot pak pas mesdite, ka ardhur dhe reagimi zyrtar i klubit të Skënderbeut, që ka përgënjeshtruar lajmin se skuadra do të largojë disa nga lojtarët.
“Skënderbeu mohon kategorikisht lajmin e publikuar sot në median e shkruar dhe online. Sigurojmë se klubi momentalisht nuk po mendon për merkaton në hyrje dhe dalje. Drejtuesit dhe lojtarët janë të përqëndruar për të mbyllur sezonin me sukses dhe për të arritur objektivat e klubit. Faleminderit për mirëkuptimin”, shkruan klubi në reagimin e tij.
Kujtojmë se Skënderbeu do të paraqitet në CAS vetëm pas katër ditësh, ku në dy ditë, do të zhvillohet seanca dëgjimore me drejtues të klubit dhe avokatin që do të mbrojë Skënderbeun para trupës gjykuese në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.
“RealStory.al” ka mësuar se pothuajse të gjithë drejtuesit e klubit do të jenë të pranishëm në seancën dëgjimore, teksa shpresojnë në marrjen e një vendimi në favor të Skënderbeut. Ky i fundit është dënuar nga UEFA me 10 vite përjashtim nga të gjitha garat evropiane dhe një gjobë prej 1 milionë eurosh.
Dënimi i dhënë nga komisioni i Disiplinës në UEFA vitin e kaluar, mbeti në fuqi dhe nga Komisioni i Apelit i të njëjtit institucion. Megjithatë, Skënderbeu, e ka apeluar vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, duke shpresuar në rrëzimin e vendimit të dhënë nga UEFA.