Rama, mesazh Metës me juntë ushtarake

Më të fundit


Presidenti Meta kërkoi informacion se ku mbështet në Kushtetutë vendimi për mbrojtjen e aeroportit me forca ushtarake, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama.

Përmes një fotoje në instagram, Rama shkruan se në shumë aeroporte të botës ka prani të forcave ushtarake, ndërsa i cilësoi marrëzira të gjitha deklaratat për shkelje të Kushtetutës dhe juntë ushtarake.


“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike” – shkruan Rama, bashkëngjitur fotos nga forcat e sigurisë në aeroportet ndërkombëtare.

Pak kohë më parë presidenti Ilir Meta deklaroi se ishte gati të sakrifikonte, nga dorëzimi i mandatit si President deri tek “sakrifikimi i jetës si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.




Skip to toolbar