Komisioni i Reformës Zgjedhore drejtuar nga bashkëkryetarët Gjiknuri- Alibeaj e mbaroi afatin e tij ligjor dhe politik, pa bërë asgjë.
Ai komision e konsumoi mandatin e vet politik, jo për të bërë diçka për reformën zgjedhore, por për të tërhequr grupin e rithemelimit në dialog dhe për t’i bërë partnerë me socialistët në një marrëveshje të re.
Përmes këtij Komisioni, PD dhe Basha nuk arritën dot të marrin konsensus për idetë e tyre për reformën zgjedhore, por ama arritën t’i hedhin poshtë gjithë akuzat për bashkëpunim me Ramën dhe PS, pasi jo vetëm që nuk u morën vesh për asgjë, por arritën që gjithë akuzat që u janë bërë atyre për bashkëpunim me Ramën, t’i transferojnë tek Rithemelimi, i cili ka gjashtë muaj që betejë të jetës nuk ka heqjen e Edi Ramës, por heqjen e Alibeajt nga Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Pra PD dhe Basha dolën politikisht të pastruar nga ky Komision që nuk funksionoi asnjë ditë dhe provuan se më të gatshëm se ata për pazare me Ramën, janë njerëzit e Berishës.
Tani do të rifillojë një episod i ri hipokrit i gjoja reformës zgjedhore, që do të përfundojë po pa rezultat. Kur kjo e gjitha të mbarojë, e vetmja gjë e qartë që do kuptohet si sukses, do të jetë fakti që Gaz Bardhi e prishi krushqinë e “Lulzim Bashës me Taulant Ballën”, siç akuzon ai, dhe e zëvendësoi atë me krushqinë e tij me Damian Gjiknurin.
Reformë elektorale nuk do të ketë në asnjë rezultat, por të paktën do të kemi një çift të ri, pa pajë.
Dhe ky është i vetmi sukses i PD së Bashës, që për rezultat të njëjtë me këta të Berishës, pra për dështim të reformës elektorale, PD hoqi njollën e bashkëpunëtorit të socialistëve, kurse këta të Berishës po e pranojnë me qejf.
Pra bisedimet për reformë prodhuan një flirt të ri politik, në vend të një ligji të ri.