SHBA goditet nga stuhitë dhe tornadot, raportohet për të paktën 20 të vdekur

BOTA


Së paku 20 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e tornadove dhe stuhive që kanë goditur katër shtete në SHBA në fundjavë, duke shkatërruar shtëpi dhe duke lënë qindra mijëra njerëz pa rrymë.

Shtatë njerëz vdiqën në veri të Teksasit, tetë në Arkansas, tre në Kentuki dhe dy në Oklahoma. Qindra të tjerë u lënduan dhe gati 500.000 shtëpi mbetën pa energji elektrike në disa shtete të dielën.

Stuhitë shkaktuan dëme të mëdha nga veriu i Dallasit deri në veriperëndim të Arkansasit. Të hënën, meteorologët thanë se tani me rrezik të madh do të përballet lindja, një pjesë e madhe e vendit nga Alabama deri në Nju Jork Siti.

Guvernatori i Kentukit, Andy Beshear, shpalli gjendje emergjente të hënën në mëngjes përmes një postimi në rrjetin social X.

Në Teksas, rreth 100 njerëz u lënduan dhe më shumë se 200 shtëpi dhe ndërtesa u shkatërruan, tha guvernatori Greg Abbott.

“Shpresat dhe ëndrrat e familjeve dhe bizneseve të vogla të Teksasit janë shkatërruar nga stuhitë e njëpasnjëshme”, tha Abbott, shteti i të cilit është përballur me mot të lig, përfshirë stuhi të cilat vranë tetë njerëz në Hjuston në fillim të këtij muaji.

Pjesa qendrore e SHBA-së është përballur me mot vdekjeprurës këtë muaj. Tornadot në Ajova vranë pesë njerëz dhe lënduan dhjetëra të tjerë javën e kaluar. Në prill u shënua numri i dytë më i madh i tornadove në vend.

Meteorologët dhe autoritetet i paralajmëruan qytetarët të kërkonin strehim urgjent, pasi stuhia po marshonte drejt këtyre shteteve të shtunën dhe të dielën.

Stuhi të fuqishme parashikohet të ketë në Illinojs, Misuri, Kentuki dhe Tenesi. Meteorologët thanë se Karolina e Veriut dhe Virxhinia përballen me mot të lig nga 27 maji./REL



Skip to toolbar